Vendosni fjalën kyçe....

Balluku nën hetim nga SPAK, Berisha publikon rrëfimin e Ahmetajt: Lubia e papërmbajtur


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj flet për mënyrën e menaxhimit të projekteve publike nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila aktualisht ndodhet nën hetim nga SPAK.

Në videon e publikuar nga Berisha, Ahmetaj rrëfen në emisionin “Çim Peka Live” për dëmet e mëdha ekonomike që, sipas tij, kanë ardhur nga vendimmarrjet e Ballukut.

Sipas Ahmetajt, dëmi financiar që Balluku i ka shkaktuar buxhetit të shtetit është më i madh se ai i tërmetit të vitit 2019.

Ai shton se ky është vetëm dëmi i lidhur drejtpërdrejt me veprimet e Ballukut, pa përfshirë ndikimin e institucioneve dhe personave të tjerë të përfshirë në projekte publike.

“Sipas përllogaritjeve të mia dhe referencave nga bizneset, dëmi që Belinda Balluku i ka shkaktuar buxhetit të shtetit është dyfish më i madh se tërmeti i vitit 2019,” është shprehur Ahmetaj në intervistë.

Ish-zëvendëskryeministri ka kritikuar gjithashtu rritjen e kostove në projektet publike dhe mungesën e transparencës nga qeveria, duke përmendur rastet e Unazës së Madhe të Tiranës dhe Tunelit të San Gotardos në Zvicër si shembuj krahasues.

Ahmetaj ka theksuar se projektet si tuneli i Llogarasë janë shndërruar në burime abuzimi dhe shpërdorimi të fondeve publike.

“Vetëm tuneli i Llogarasë ka konsumuar shuma sa dy inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit dhe 15 shkolla të mëdha,” ka deklaruar ai, duke e cilësuar Ballukun si “plaçkitësen më të madhe të buxhetit të shtetit.”

Berisha e ka shoqëruar videon me komentin se rrëfimi i Ahmetajt është një tjetër provë e qartë e “lubisë së papërmbajtur për pushtet dhe pasuri” që, sipas tij, karakterizon drejtuesit e qeverisë aktuale.