Vendosni fjalën kyçe....

Irani e Venezuela nënshkruajnë marrëveshjen e rëndësishme – Media


Irani e Venezuela nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi 20-vjeçare të shtunën gjatë një vizite të presidentit venezuelian Nicolas Maduro në Teheran, njoftoi media shtetërore iraniane.

Marrëveshja e arritur nga dy nga vendet më të sanksionuara në botë ‘tregon vendosmërinë e zyrtarëve të nivelit të lartë të të dy vendeve për zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme’, tha presidenti iranian Ebrahim Raisi në televizionin shtetëror, siç citohet nga AFP.

Hollësitë e marrëveshjes së re mes dy vendeve nuk janë bërë ende publike. Megjithatë, gjatë vizitës së tij, Maduro u shoqërua nga zyrtarë të fushave duke përfshirë bujqësinë, teknologjinë, naftën, komunikimin, turizmin dhe transportin, të cilat mund të nënkuptojnë sferat e bashkëpunimit që dy kombet kanë në mendje.

Si Irani ashtu edhe Venezuela janë nën sanksione të rënda të SHBA-së dhe sipas Maduros, ata kanë ‘një vizion të përbashkët’ në lidhje me çështjet ndërkombëtare dhe planifikojnë të punojnë së bashku në ‘luftën e sanksioneve dhe të gjejnë mënyra për t’iu kundërvënë atyre me vendosmëri’.

“Karakasi dhe Teherani kanë formësuar strategjinë e ekonomisë së rezistencës dhe po punojnë për ta zgjeruar atë.” – u citua të thoshte ai.

Në një intervistë me HispanTV iranian të premten, Maduro njoftoi hapjen e një linje fluturimi javore nga Karakasi në Teheran. Ai tha gjithashtu se Venezuela planifikon t’i shesë kafe Iranit.

Irani dhe Venezuela janë afruar më shumë në dy vitet e fundit, veçanërisht përmes projekteve energjetike. Në maj, kompania kombëtare iraniane e inxhinierisë dhe naftës nënshkroi një kontratë për të riparuar një rafineri nafte në Venezuelë. Në intervistën e tij, Maduro falënderoi Iranin për dërgesat e karburantit në Venezuelë.