Vendosni fjalën kyçe....

Franca dënon me burgim të përjetshëm për herë të parë një grua



Një gjykatë në Paris ka dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi 27-vjeçaren Dahbia Benkired, e shpallur fajtore për përdhunimin, torturimin dhe vrasjen e vajzës 12-vjeçare Lola Daviet në vitin 2022. Ky është rasti i parë në historinë e Francës që një grua dënohet me një dënim të tillë maksimal, i cili njihet si “burgim i përjetshëm i pareduktueshëm”, pa të drejtë lirimi me kusht, përcjell EuroNews.

Vendimi u shpall të premten, duke shkaktuar emocione të forta në sallën e gjyqit, ku nëna dhe vëllai i Lolas shpërthyen në lot pas leximit të dënimit. Babai i vajzës kishte ndërruar jetë në vitin 2024, pak pas humbjes së vajzës, nga problemet e rënda emocionale që e kishin ndjekur që prej tragjedisë.

Trupi i Lolas u gjet më 14 tetor 2022 në një trunk plastik pranë ndërtesës ku jetonte familja e saj në verilindje të Parisit. Pamjet e kamerave të sigurisë kishin treguar Benkired, e pastrehë dhe pa punë, duke u parë me vajzën në hyrje të godinës rreth orës 15:00. Një orë e gjysmë më vonë, ajo u filmua sërish duke hyrë në ndërtesë me disa valixhe, përfshirë edhe atë ku më pas u gjet trupi i vajzës.

Gjatë procesit gjyqësor, Benkired mbeti e ftohtë dhe pa emocione. As gjatë shpalljes së vendimit ajo nuk tregoi asnjë reagim. Kur gjykatësit i treguan fotografi të trupit të vajzës së torturuar, ajo u përgjigj shkurt: “Jam indiferente.” Raportet psikiatrike e përshkruan si narcisiste patologjike, me sjellje antisociale dhe mungesë totale empatie, por tërësisht të përgjegjshme penalisht dhe pa çrregullime mendore.

Hetimet zbuluan se Benkired kishte pasur një fëmijëri të dhunshme në Algjeri, ku pretendon se ishte abuzuar seksualisht. Ajo kishte ardhur në Francë në moshën 16-vjeçare, ku më vonë kishte përfunduar e pastrehë dhe ishte futur në prostitucion. Në momentin e krimit, ajo ishte pa dokumente ligjore dhe kishte një urdhër dëbimi nga territori francez, çka shkaktoi një valë debatesh politike mbi politikat e emigracionit dhe sigurisë publike në Francë.

Në fjalën e saj të fundit para trupit gjykues, Benkired tha: “Kërkoj falje, është e tmerrshme ajo që kam bërë, dhe kaq kam për të thënë.”

Rasti i Lolas tronditi thellë Francën dhe ndezi një debat të gjerë për emigracionin, sistemin e drejtësisë dhe mbrojtjen e fëmijëve. Për shumë qytetarë francezë, dënimi i Benkired shihet si një formë drejtësie e vonuar, por e domosdoshme për një krim që la pas një plagë të hapur në shoqëri.