Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në brigjet e Tunizisë, fundoset varka me emigrantë, 40 viktima


Një anije e vogël me emigrantë është fundosur në brigjet e Salaktas, në juglindje të Mahdias, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 40 personave. Roja bregdetare ka arritur të shpëtojë 30 të tjerë, ndërsa bilanci mbetet tragjik.

Ngjarja ndodhi më pak se një javë pas mbytjes së një tjetër anijeje mes Maltës dhe Lampeduzës, ku humbën jetën 23 persona.

Varka e përmbysur ishte prej hekuri dhe mbante rreth shtatëdhjetë emigrantë, të cilët po përpiqeshin të largoheshin nga Tunizia drejt brigjeve evropiane.

“Dyzet trupa, përfshirë disa të porsalindur, janë gjetur dhe 30 persona janë shpëtuar”, deklaroi Walid Chtabri, zëdhënës i Gjykatës së Shkallës së Parë të Mahdias, përcjell La Repubblica.

Zyra e prokurorit ka hapur një hetim për tragjedinë, por deri më tani nuk janë dhënë detaje mbi shkakun e përmbysjes apo mbi operacionet e shpëtimit të Gardës Kombëtare.

Anijet e vogla si kjo përbëjnë shpesh të vetmen mundësi për emigrantët më të varfër që kërkojnë të largohen nga Tunizia, duke rrezikuar jetën në Mesdheun qendror.