
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Londër ku mori pjesë në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet të martën.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te gjendja aktuale e Europës dhe roli i saj në politikën ndërkombëtare, duke theksuar se kontinenti duhet të reflektojë mbi mangësitë e tij përpara se të tejkalohet nga fuqitë e tjera globale.
“Nëse dikush do të kuptojë më mirë çfarë ndodh me Europën, duhet të dëgjojë ata jashtë saj. Të gjithë e shohin Europën si një gjigant të vjetër, të lodhur, që nuk kupton se bota ka ndryshuar. Më pak se 40 vjet më parë PBB e Europës ishte më e madhe se e Kinës, sot janë të barabarta dhe në më pak se 20 vjet Kina do të ketë PBB dyfishin e Europës”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu për ambicien e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë si një objektiv kombëtar.
“Në Shqipëri kemi shumë ëndrra dhe ambicie për ta bërë vendin tonë pjesë të BE-së, për të zënë vendin që la bosh Britania. Për ne, Bashkimi Europian është si një fe – 92% e shqiptarëve duan të jenë pjesë e tij. Ne kemi një politikë të polarizuar, por për BE-në jemi të gjithë bashkë,” – theksoi Rama.
I pyetur mbi deklaratat e deputetit britanik Nigel Farage, i cili ka sulmuar në të kaluarën komunitetin shqiptar në Britani duke e etiketuar si burim kriminaliteti, Rama u shpreh se problemet që ngre Farage duhen parë në rrënjë dhe jo përmes individit.
“Farage nuk është problemi, ai është pasqyra ku shfaqen disa nga problemet e shoqërisë britanike. Ai nuk ka zgjidhje, por zgjidhja nuk është ta paraqesësh si kokë turku. Zgjidhja është të adresosh problemet reale dhe të rikthesh besimin te ky vend i madh,” – tha Rama.
Në mbrëmje, bashkëshortja e tij, Linda Rama, ishte nikoqire e një darke zyrtare për pjesëmarrësit e Forumit, ku theksoi se “globalizimi nuk është zgjedhje, por realitet”.