
Kancelari gjerman Friedrich Merz hodhi poshtë thirrjet nga disa figura të partisë së tij për të zbutur qëndrimin ndaj partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke deklaruar se konservatorët e tij “nuk kanë asgjë të përbashkët” me këtë forcë politike, përcjell Euronews.
Deklarata erdhi të hënën, pas presioneve nga disa konservatorë të njohur, përfshirë ish-sekretarin e përgjithshëm të CDU-së, Peter Tauber, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, të cilët kishin kërkuar një qasje më fleksibël ndaj AfD-së — partisë anti-emigracion që po fiton gjithnjë e më shumë terren në sondazhe.
AfD doli forcë e dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit, ndërsa sondazhet e fundit e vendosin në nivel të barabartë ose edhe përpara bllokut të Merz-it, të përbërë nga CDU/CSU.
“Nuk ka asnjë pikë të përbashkët mes kësaj partie dhe nesh,”
tha Merz pas mbledhjes së udhëheqjes së CDU-së në Berlin.
“Vendimi i vitit 2018 për të mos bashkëpunuar me AfD-në mbetet në fuqi dhe nuk do të ndryshojë, pavarësisht disa zërave të izoluar.”
Kancelari theksoi se “dora e shtrirë” e AfD-së në realitet është “një dorë që kërkon të na shkatërrojë”, duke iu referuar përpjekjeve të vazhdueshme të partisë së djathtë për të thyer “murin mbrojtës” që e përjashton nga çdo koalicion me partitë tradicionale gjermane.
Merz pranoi gjithashtu se qeveria e tij e koalicionit me socialdemokratët e qendrës së majtë ka pasur “shumë debate publike” që kanë irrituar votuesit, por theksoi se ekzekutivi ka arritur “të vendosë në rrugën e duhur masa të rëndësishme për ekonominë dhe migracionin”.
Në vitin 2018, CDU miratoi një rezolutë që ndalon çdo “koalicion apo formë bashkëpunimi” me AfD-në dhe me partinë e majtë Die Linke. Por me rritjen e AfD-së, veçanërisht në Lindjen ish-komuniste të Gjermanisë, disa konservatorë po kërkojnë të rishikojnë vijat e kuqe politike.
Pavarësisht se Agjencia Federale e Inteligjencës së Brendshme e ka klasifikuar AfD-në si organizatë ekstremiste të djathtë, mbështetja për partinë mbetet e lartë, dhe sondazhet parashikojnë që ajo të dalë forcë e parë në disa nga pesë zgjedhjet rajonale të vitit 2026.