Vendosni fjalën kyçe....

Koçiu: Deri në vitin 2027, Identiteti Dixhital shqiptar do të bëhet pjesë e Portofolit Europian


Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, gjatë prezantimit të projektit për Identitetin Dixhital, deklaroi se deri në vitin 2027, ky sistem do të integrohet në Portofolin Europian të Identitetit Dixhital, duke e bërë Shqipërinë pjesë të një rrjeti të unifikuar digjital në nivel kontinental.

Sipas Koçiut, Identiteti Dixhital do të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, bankat dhe bizneset, duke reduktuar ndjeshëm burokracitë dhe duke garantuar më shumë transparencë.

“Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon, në xhepin e kujtdo, kudo që është – nga Tirana deri në skajin më të largët. Me një klikim, aty janë të gjitha dokumentet personale: karta e identitetit, leja e drejtimit, diploma – gati për t’u përdorur kudo në Europë. Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment,” tha ministrja.

Ajo shtoi se ky sistem i ri do të mundësojë shërbime 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke rritur efikasitetin për qytetarët dhe bizneset:
“Pa letra, pa radhë, pa vonesa. Në bankë, te noteri, apo në zyrat publike, me disa klikime. Për shtetin, kjo do të thotë më pak burokraci dhe më shumë transparencë; për biznesin, më shumë besim dhe efikasitet.”

Ministrja theksoi gjithashtu se Identiteti Dixhital do të bazohet në teknologjitë më të avancuara të biometrisë, njohjes së fytyrës dhe nënshkrimit elektronik.

Në vijim, Koçiu nënvizoi se nisma është në përputhje me objektivat e Komisionit Europian:
“Deri në vitin 2030, 80% e qytetarëve europianë do të kenë një identitet dixhital funksional. Përfitimet e pritshme janë të mëdha: deri në 13% rritje të PBB-së në periudhë afatmesme, ulje të kostove administrative me 30-50%, dhe reduktim të mashtrimeve apo vjedhjeve të të dhënave online me 80%,” përfundoi ajo.