Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu në Komisionin e Ligjeve: Drejtësia e re prek të gjithë, përveç Edi Ramës



Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ka kritikuar ashpër funksionimin e drejtësisë në vend, duke e akuzuar se është selektive dhe se nuk prek kryeministrin Edi Rama.

Balliu iu drejtua drejtpërdrejt kreut të SPAK, duke thënë se “me drejtësinë e re preken të gjithë, përveç Edi Ramës”. Deputeti ka ndarë edhe një video nga fjala e tij në komision, ku shkruan me ironi se “shefi nuk e prek veten”.

“Do ishte absurde të mendohet që për gjithë ato afera që keni ndërmarrë, që ju keni hetuar qoftë në qeveri apo në bashki, në gjithë këtë pushtet të madh prej kaq vitesh vetëm Edi Rama nuk ka faj. A ka një hetim për këtë njeri, për këto VKM që lëshon ky njeri dhe kjo zonja Balluku që ka përdor ai tani për të firmosur të gjitha dokumentet? A ka një hetim për këta të dy?”, u shpreh Balliu në fjalën e tij.

Deklarata e Balliut vjen në një kohë kur SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë, por opozita ka akuzuar vazhdimisht institucionin se po shmang hetimet ndaj figurave më të larta të qeverisë.