
Rruga “Butrinti”, një nga arteriet kryesore të qytetit turistik të Sarandës, do t’i nënshtrohet rikualifikimit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përmes një procedure prokurimi me fond limit prej 270 milionë lekësh (rreth 2.7 milionë euro), synon të kryejë një ndërhyrje të plotë në këtë rrugë me gjatësi 3.5 kilometra.
Sipas raportit teknik, rruga ekzistuese, mbi të cilën do të zbatohet projekti i rehabilitimit, është një rrugë urbane me gjerësi asfalti 8 metra, përfshirë dy korsi me dy drejtime lëvizjeje dhe një korsi parkimi. Rruga ka një trotuar pothuajse konstant, me gjerësi 2-3 metra, nën të cilin ndodhet infrastruktura inxhinierike nëntokësore.
“Rruga ka kuneta në të gjithë gjatësinë e saj, në të dy anët, të cilat janë amortizuar ndër vite dhe kanë nevojë të zëvendësohen. Nga ana tjetër, prania e trotuareve është pjesore — kryesisht përpara objekteve të ndërtuara — por me gjerësi të vogël dhe në disa segmente mungon krejtësisht. Asfalti është i konsumuar dhe i dëmtuar, për shkak edhe të qarkullimit të trafikut të rëndë që ka shërbyer për ndërtimet e reja në këtë zonë. Nga inspektimet në terren, konsulenti konstatoi se shtresat asfaltike duhet të zëvendësohen. Ndërkohë, muret e gurit që shoqërojnë rrugën përgjatë gjithë gjatësisë së saj duken në gjendje të mirë dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje strukturore. Një vlerësim më i detajuar do të kryhet në fazat e mëvonshme të projektit,” thuhet në raport.
Dokumenti thekson se rruga ka një gjatësi rreth 3,450 metra, nga rruga “Skënderbeu” deri te kanali i Çukës.
“Seksioni tërthor ka një gjerësi totale variabël, rreth 11 metra. Pjesa asfaltike e rrugës është 5 metra, me nga një korsi për secilin drejtim lëvizjeje (3 metra secila) dhe 2 metra hapësirë parkimi në segmentet ku është parashikuar. Pjerësia tërthore në të dy anët është 2.5%. Rruga do të ketë një korsi për secilin sens lëvizjeje, kuneta me gjerësi 0.5 metra dhe trotuar me gjerësi 2 metra në secilin krah, për kalimin e këmbësorëve.
Trotuari është projektuar me shtresë pllakash guri, të vendosura mbi 15 cm shtresë stabilizanti, përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Ai do të ketë një gjerësi totale prej 3 metrash, me bordura fillestare dhe përfundimtare 15×30 cm.
Në anën e majtë, ku trotuari ekziston aktualisht, ai do të përfundojë me një bordurë anësore 15×30 cm, e cila do të ndërtohet mbi murin ekzistues të gurit, në rastet kur nuk ka ndërtesa.
Pemët ekzistuese do të ruhen në pozicionet e tyre dhe nuk duhet të dëmtohen. Gjatë ndërtimit të trotuarit, bordurat përreth pemëve do të konturohen nga vetë shtrimi me beton i trotuarit,” theksohet në raport./Monitor