
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një mesazh të fortë mbështetjeje për integrimin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të sjellë një valë të re rritjeje për ekonomitë e rajonit.
“Nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën,” u shpreh ajo, duke i bërë thirrje investitorëve ndërkombëtarë që të fokusohen te rajoni si një destinacion i rëndësishëm për investime.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se Bashkimi Europian do të ndërtojë fabrika të Inteligjencës Artificiale në Ballkanin Perëndimor, duke filluar me dy qendra të para në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, për ta shtrirë më pas këtë nismë në të gjitha vendet e rajonit.
“Të gjitha vendet që janë bërë pjesë e BE kanë përjetuar një rritje të pabesueshme ekonomike. E njëjta do të ndodhë edhe me Ballkanin Perëndimor. Ekonomitë tuaja do të rriten me shpejtësi. BE po hap sektorët e vet ekonomikë për bizneset tuaja,” tha ajo.
Presidentja e Komisionit Europian theksoi se tani është momenti i duhur për investime në rajon. “Mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi — koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani,” u shpreh Von der Leyen, duke shtuar se gjatë kësaj nisme do të nënshkruhen dhjetë marrëveshje të rëndësishme biznesi dhe do të diskutohen 24 projekte investimesh të mundshme.
Ajo theksoi se qëllimi është që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e zemrës teknologjike të kontinentit:
“Do të hapim fabrikat tona të AI në Ballkanin Perëndimor. Dua që e ardhmja e inteligjencës artificiale të ndërtohet në Evropë dhe që Ballkani Perëndimor të jetë në zemër të saj.”