Një gjykatë franceze ka shpallur gjigantin e çimentos Lafarge, ish-drejtorin e saj ekzekutiv, Bruno Lafont dhe shtatë drejtues të tjerë fajtorë për financim të terrorizmit lidhur me pagesat e bëra ndaj grupeve të armatosura gjatë luftës civile në Siri, përfshirë grupin terrorist DEASH, transmeton Anadolu.
Gjykata në Paris vendosi se Lafarge ka paguar rreth 5.6 milionë euro për grupe të armatosura në Siri midis viteve 2013 dhe 2014, me qëllim ruajtjen e operacioneve në fabrikën e saj të çimentos në Jalabiya, në veri të vendit.
Sipas vendimit, kompania ka paguar rreth 972 mijë dollarë drejtpërdrejtë për grupe terroriste, përfshirë më shumë se 584 mijë dollarë për DEASH-in.
Gjykata tha se pagesat janë bërë përmes filialit sirian të kompanisë për të siguruar rrugët e furnizimit, për të garantuar lëvizjen e punonjësve dhe mallrave, si dhe për të lejuar vazhdimin e funksionimit të fabrikës pavarësisht pranisë në rritje të grupeve militante.
Prokurorët argumentuan se kompania bëri një zgjedhje të qëllimshme për të vendosur interesat ekonomike mbi rreziqet e sigurisë, duke pretenduar se Lafont ishte në dijeni të pagesave dhe kishte urdhëruar vazhdimin e operacioneve.
Ata kishin kërkuar dënime me burg deri në gjashtë vjet për Lafont dhe gjoba të konsiderueshme financiare për kompaninë, përfshirë një gjobë prej 1.125 milionë euro dhe konfiskimin e aseteve me vlerë dhjetëra milionë euro.
Lafont është dënuar me gjashtë vjet burg, ndërsa është lëshuar edhe një urdhër-arrest për të.
Zyrtarët e sigurisë, Jacob Waerness dhe Ahmad Al Jaloudi, janë dënuar respektivisht me 18 muaj dhe dy vjet burg, gjithashtu me urdhra-arresti.
Nga drejtuesit e kompanisë Lafarge, ish-drejtori i fabrikës, Bruno Pescheux, u dënua me pesë vjet burg, pa masa të sigurisë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Ish-drejtori rajonal i operacioneve, Christian Herrault dhe Frederic Jolibois, u dënuan respektivisht me pesë vjet burg me vuajtje të menjëhershme dhe tre vjet burg, prej të cilave dy me kusht.
Megjithatë, mbrojtja argumentoi se Lafarge veproi nën presion në atë që e përshkroi si një “ekonomi shantazhi”, duke theksuar se pagesat ndaj grupeve të armatosura ishin të pashmangshme për të mbrojtur punonjësit dhe për të shmangur braktisjen e objektit.
Gjykata e hodhi poshtë këtë argument, duke iu referuar komunikimeve të brendshme dhe të dhënave financiare që tregonin pagesa të strukturuara dhe marrëveshje me fraksione të armatosura.
Fabrika në Jalabiya u evakuua përfundimisht në shtator të vitit 2014, derisa DEASH-i përparonte në rajon, pak para se të binte nën kontrollin e grupit.