Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Arkitekti danez Bjarke Ingels fiton konkursin ndërkombëtar për “Parkun e Besimit” në Tiranë



Arkitekti i njohur danez, Bjarke Ingels, është shpallur fitues i konkursit ndërkombëtar për projektimin e “Parkut të Besimit”, një iniciativë ambicioze që synon të bashkojë arkitekturën moderne me frymën e harmonisë ndërfetare në kryeqytetin shqiptar.

Në garën e fortë morën pjesë 12 finalistë nga vende të ndryshme si Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia, duke sjellë ide kreative dhe koncepte të ndryshme për këtë projekt me rëndësi simbolike.

Gjatë ceremonisë së shpalljes së fituesit, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij projekti për Shqipërinë dhe sfidat e procesit të përzgjedhjes.

“Ishte një proces nga i cili mësuam të gjithë. Kishte shumë ide për t’u diskutuar dhe analiza të detajuara për çdo projekt. Në fund, përzgjedhja ishte e vështirë, sepse të gjithë finalistët kishin sjellë propozime të jashtëzakonshme,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se vendimi për fituesin u mor me bindje të plotë, duke theksuar:

“Do të doja të kishim mundësi të realizonim më shumë parqe të tilla. Megjithatë, ky projekt është një arritje për të cilën do të jemi shumë krenarë si vend.”

Projekti i Bjarke Ingels pritet të sjellë në Tiranë një hapësirë unike ku kultura, besimet dhe arti bashkohen në një ambient modern dhe të qëndrueshëm, duke reflektuar diversitetin dhe unitetin e shoqërisë shqiptare.