Vendosni fjalën kyçe....

SHBA miraton ndërtimin e një baze ajrore të Katarit në Idaho


Shtetet e Bashkuara kanë finalizuar një marrëveshje që i lejon Katarit të ndërtojë një bazë të Forcave Ajrore në shtetin Idaho, njoftoi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes së Katarit, Saoud bin Abdulrahman al-Thani, në Pentagon, Hegseth tha se objekti do të ngrihet në bazën ajrore Mountain Home, ku do të trajnohen pilotët e Katarit për të fluturuar me avionë luftarakë F-15, përcjell BBC.

“Ky është thjesht një tjetër shembull i partneritetit tonë,” deklaroi Hegseth, duke shtuar: “Jam krenar që sot nënshkruam letrën e pranimit për ndërtimin e një objekti të Forcave Ajrore Emiri të Katarit në Mountain Home Airbase. Ky vend do të strehojë avionë dhe pilotë katarias për të forcuar stërvitjen e përbashkët dhe bashkëpunimin operacional. Ju mund të mbështeteni tek ne.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm që Katari ka luajtur në përpjekjet e udhëhequra nga presidenti Donald Trump për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit.

Katari, së bashku me Egjiptin dhe Turqinë, ka qenë ndër ndërmjetësit kryesorë në bisedimet e zgjatura indirekte mes Izraelit dhe Hamasit.

Nuk është bërë e ditur se sa avionë F-15 do të dislokohen në bazën e re, as kur ajo do të fillojë funksionimin.

Muajin e kaluar, presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e Katarit, duke premtuar përdorimin e të gjitha mjeteve, përfshirë forcën ushtarake amerikane — një marrëveshje sigurie e jashtëzakonshme që ngjan në disa aspekte me një pakt të NATO-s.

Ky vendim erdhi pasi më 9 shtator, një sulm ajror izraelit në Doha vrau disa anëtarë të nivelit të ulët të Hamasit dhe një zyrtar të sigurisë katarias.

Katar mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon, al-Udeid, e cila këtë vit u sulmua nga Irani pas goditjeve amerikane kundër objekteve bërthamore iraniane.