Vendosni fjalën kyçe....

Biseda e papërshtatshme në WhatsApp mes efektivëve pas denoncimit për humbjen e një vajze, pezullohet 30 ditë Shefi i Krimeve


Policia ka pezulluar shefin e Krimeve në Komisariatin 1 për një periudhë 30-ditore lidhur me hetimin në vijim pas publikimit në rrjetet sociale të një bisede joetike të disa efektivëve të policisë pas denoncimit për humbjen e 18-vjeçareje.

Rasti po hetohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ngjarja në fjalë u publikua në rrjetet sociale ku disa efektivë policie të Komisariatit 1 përdorën komente jo të përshtatshme për rastin e humbjes së 18-vjeçares.

“Në lidhje me një postim në rrjetet sociale, në të cilin pasqyrohet komunikimi joetik në një grup komunikimi në platformën WhatsApp, midis disa punonjësve të Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, ju bëjmë me dije se:

Menjëherë pas marrjes dijeni, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e  Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për një periudhë 30-ditore, Shefin për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në DVP Tiranë, Komisar R. D., për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204 i rregullores së Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e AMP-së, vijon punën për kryerjen e një hetimi të plotë administrativ për këtë rast. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.” – thuhet në njoftimin e policisë.