Vendosni fjalën kyçe....

“Interpelanca me Ramën, të ishte e para në rendin e ditës”- Bardhi në Konferencën e Kryetarëve


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka reaguar gjatë Konferencës së Kryetarëve, duke theksuar se në rendin e ditës mungojnë dy çështje të detyrueshme, mes tyre interpelanca urgjente me kryeministrin Edi Rama.

Ai shtoi se, megjithëse nuk është arritur konsensus për dy mocione të opozitës, rregullorja e detyron që ato të vijnë në Kuvend për t’u votuar. 

“Keni sjellë rendin e ditës, por mungojnë dy çështje që i keni detyrim.

E para, interpelanca urgjente me Kryeministrin. Kjo duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, dhe duke mos e përfshirë, ju keni shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

E dyta, është e vërtetë që nuk kemi gjetur konsensus për dy mocione në Konferencën e Kryetarëve. Megjithatë, Rregullorja ju detyron që kërkesat për mocionet të vijnë në Kuvend dhe të hidhen në votim.

Ju, znj. Kryetare, në mënyrë të habitshme, vazhdoni të shkelni Kushtetutën dhe Rregulloren.

Keni një muaj që keni marrë besimin e mazhorancës dhe, pas kësaj, do të duhej të silleshit si Kryetare Kuvendi në respekt të Kushtetutës. Por ju nuk e bëni këtë, përkundrazi, e shkelni në mënyrë sistematike Kushtetutën.”, tha ai.