Vendosni fjalën kyçe....

Meta uron fillimin e vitit akademik nga qelia: Arsimi të kthehet në prioritet kombëtar


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga qelia e burgut ka uruar studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit të ri akademik.

Ai theksoi se arsimi po goditet nga nënfinancimi, mungesa e reformave dhe kontrolli politik, duke paralajmëruar se Shqipëria renditet e fundit në rajon për cilësinë e universiteteve.

Meta kërkoi që arsimi të kthehet në përparësi kombëtare, me buxhet 5% të PBB-së dhe dyfishim të pagave për pedagogët.

Postimi:

Urime dhe shumë suksese studentëve dhe stafit pedagogjik në nisjen e vitit të ri akademik!

Studentët janë shpresa dhe e ardhmja e Shqipërisë, por universitetet tona po goditen çdo vit nga nënfinancimi, mungesa e reformave dhe kontrolli politik.

Ndërsa Europa, por edhe rajoni investon në dije, Shqipëria mbyll degët e universiteteve, boshatis auditoret dhe shtyn të rinjtë drejt emigrimit.

Renditemi të fundit në rajon për cilësinë e universiteteve dhe ky është një alarm për të gjithë shoqërinë.

Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe Partia e Lirisë e ka një nga 5 prioritetet kryesore për Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus, për të ndalur fenomenin e shpopullimit, garantuar progresin, të ardhmen e sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë.

Shqipëria ringrihet vetëm duke ringritur arsimin, me buxhet 5% të PBB, dyfishim të pagave për pedagogët, depolitizim të arsimit të lartë dhe reforma të thella për cilësi e konkurrueshmëri.