Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta dënon vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja: Një akt terrorist që godet shtetin e së drejtës



Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar me tone të forta pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ai e cilësoi ngjarjen si një akt terrorist që godet në mënyrë direkte shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.

“Ekzekutimi i gjyqtarit në krye të detyrës, brenda gjykatës, është një krim shumë i rëndë që meriton ndëshkim të ashpër ligjor. Ky nuk është një rast i izoluar, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës,” deklaroi Meta në reagimin e tij.

Ai u shpreh ngushëllime të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe kolegët e tij, duke theksuar se ngjarja duhet të jetë një thirrje për zgjim kombëtar për të luftuar dhe mposhtur kapjen e shtetit nga krimi.

“Zgjimi kombëtar për të mposhtur frikën nga krimi që ka kapur shtetin është e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë e jetës dhe rikthyer shtetin e së drejtës,” përfundoi kreu i Partisë së Lirisë.