Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania pezullon fluturimet në Mynih pas pamjeve të dronëve në qiell



Pamjet e disa dronëve mbi aeroportin ndërkombëtar të Mynihut të enjten në mbrëmje detyruan autoritetet të ndalonin përkohësisht fluturimet, duke çuar në anulimin e 17 fluturimeve dhe shkaktuar kaos për afro 3,000 pasagjerë, përcjell Guardian.

Sipas njoftimit zyrtar të aeroportit, edhe 15 fluturime të tjera u devijuan në qytete të tjera si Stuttgart, Nuremberg, Vjenë dhe Frankfurt. Incidenti shënon një tjetër ndërprerje të rëndësishme në hapësirën ajrore evropiane, pas rasteve të ngjashme javën e kaluar në Danimarkë dhe Norvegji.

Autoritetet gjermane të kontrollit të trafikut ajror ndaluan fillimisht pjesërisht, e më pas plotësisht, operacionet në aeroport për shkak të disa raportimeve për dronë në zonën ajrore të Mynihut. Aeroporti rifilloi punën në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Kjo ndodhi ndërkohë që qyteti ishte tashmë nën tension, pas kërcënimeve me bombë që mbyllën përkohësisht festën popullore të Oktoberfest-it dhe gjetjes së eksplozivëve në një banesë në veri të qytetit.

Ndërsa Danimarka nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare për përgjegjësinë e incidenteve të ngjashme që ndodhën javën e kaluar në hapësirën e saj ajrore, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka lënë të kuptohet se Rusia mund të jetë pas tyre.

“Evropa ndodhet në situatën më të vështirë dhe më të rrezikshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore,” tha Frederiksen gjatë një samiti me liderët e BE-së për ndihmën ndaj Ukrainës dhe forcimin e mbrojtjes evropiane.

Liderët e BE-së, në këtë takim, mbështetën planet për forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve me dronë të prodhuar nga Rusia.