Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi kundër dekretit të Begajt për 9 nëntorin: Shkelje e rëndë kushtetuese, Rama ka marrë peng Presidentin


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi ashpër pas dekretit të Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki, përfshirë edhe Tiranën, më 9 nëntor 2025.

Në një deklaratë publike, Bardhi e cilësoi vendimin si “shkelje të rëndë të Kushtetutës”, duke akuzuar Presidentin se veproi politikisht në favor të kryeministrit Edi Rama.

“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, ai nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama,” tha Bardhi, duke shtuar se kreu i shtetit me këtë akt ka “rrënuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese” dhe ka kryer një “puç kushtetues”.

Sipas tij, zgjedhjet e pjesshme në Tiranë janë futur në një ngërç ligjor për shkak të dekretit të Presidentit.

Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta,” theksoi ai.

Bardhi nënvizoi se mandati kushtetues i një kryebashkiaku nuk mund të ndërpritet, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta, dhe se vendimmarrja për këtë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese.

Ai akuzoi Ramën se “ka marrë peng Bajram Begajn”, ndërsa për Presidentin tha se “në 35 vite demokraci, asnjë paraardhës i tij nuk ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e institucionit të Kreut të Shtetit”.