Vendosni fjalën kyçe....

Katari: Mund të bindim Hamasin për çarmatim dhe pranimin e planit të Trumpit për Gazën


Katari ka njoftuar administratën e presidentit amerikan Donald Trump se është në gjendje të bindë Hamasin për të pranuar çarmatosjen dhe për të miratuar planin 21-pikësh të paqes për Gazën. Zyrtarë nga Doha i kanë thënë Trumpit dhe vendeve arabe se mund ta sjellin Hamasin në një marrëveshje që përfshin demilitarizimin, raportoi The Jerusalem Post.

Njoftimi përkoi me vizitën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë takimit, Netanyahu thuhet se i kërkoi falje kryeministrit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për një tentativë atentati ndaj drejtuesve të Hamasit në Doha – një kërkesë që Doha e kishte vendosur si parakusht për vazhdimin e angazhimit në negociatat për armëpushim dhe çështjen e pengjeve.

Një këshilltar i Katarit kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë pak para takimit Trump–Netanyahu. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe po i bëjnë presion Netanyahut që të pranojë propozimin për paqen në Gaza dhe të heqë dorë nga çdo plan për aneksimin e Bregut Perëndimor. Abu Dhabi ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të mbyllte mundësinë e normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të Izraelit me shtete të tjera kryesore arabe dhe myslimane, përfshirë Arabinë Saudite dhe Indonezinë.