Vendosni fjalën kyçe....

Gogu: Projektligjet janë ridërguar për shkak të mbylljes së legjislaturës së kaluar, opozita e mirëpritur me alternativa


Ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Toni Gogu, në fjalën e tij në Kuvend iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me shqyrtimin e 19 projektligjeve, duke theksuar se ato nuk janë të reja, por janë ridërguar për shkak të mbylljes së legjislaturës së kaluar.

“Një sqarim për ju dhe për gjithë publikun: nuk janë 17, por janë 19 projektligje. Kanë ardhur si pasojë e ridërgimit në Kuvend me mbylljen e legjislaturës së kaluar. Legjislatura e kaluar nuk mundi t’i shqyrtonte këto projektligje,” u shpreh Gogu.

Ai tha se projektligjet lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nuk kanë asgjë të re.“Këshilli i Ministrave ka shprehur vullnetin për t’i kthyer mbrapsht, për të vazhduar shqyrtimin që lidhet me një objektiv madhor – integrimin e vendit në BE. Janë ato përpjekjet, nuk ka asgjë të re dhe nuk ka nevojë të vijojmë me akrobacira proceduriale, siç u përdor edhe në fillim, kur procesverbali u kthye në një pedanë për të kapërcyer në çështje të tjera,” theksoi ai.

Ministri shtoi se qeveria mirëpret propozimet e opozitës, por sipas tij ajo ka humbur kohë pa dhënë alternativa konkrete.

“Ne mezi e presim opozitën që të vijë me të gjitha alternativat e saj. Nëse do të vijoni të harxhoni 10 ditë, siç keni harxhuar dhe nuk keni thënë asgjë për programin që është publik, por thjesht kërkoni të drejtën për të folur – ndërkohë që e keni – ne do të vazhdojmë t’i shqyrtojmë ato. E keni parë gatishmërinë tonë,” tha Gogu.