
Qytetarët e Moldavisë kanë nisur votimin të dielën në zgjedhjet parlamentare që mund të përcaktojnë të ardhmen gjeopolitike të vendit – nëse do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian apo do të rikthehet në orbitën e Moskës. Qeveria dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje të thellë në këtë proces elektoral, përcjell Guardian.
Moldavia, një vend kandidat për anëtarësim në BE, është përballur prej vitesh me ndarje të thella mes atyre që mbështesin afrimin me Brukselin dhe atyre që duan të ruajnë lidhjet tradicionale me Rusinë.
Partia në pushtet, Veprimi dhe Solidariteti (PAS), me orientim pro-evropian dhe e udhëhequr nga presidentja Maia Sandu, pritet të dalë në krye sipas shumicës së sondazheve, por analistët paralajmërojnë se rezultati mbetet i pasigurt.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 21:00, ndërsa rezultatet paraprake priten në orët e vona të së dielës.
Presidentja Sandu e cilësoi këtë si zgjedhjen më të rëndësishme që nga pavarësia e Moldavisë në vitin 1991. “Rezultati do të përcaktojë nëse do të forcojmë demokracinë dhe do t’i bashkohemi BE-së, apo do të tërhiqemi nga Rusia në një zonë gri, duke u kthyer në rrezik për rajonin”, shkroi ajo në rrjetin X.
BE dhe qeveria moldave kanë denoncuar një fushatë të paprecedentë dezinformimi nga Rusia, ndërsa kryeministri Dorin Recean paralajmëroi për një “rrethim” të vendit nga jashtë. Nga ana tjetër, Moska i ka mohuar akuzat për përpjekje për të blerë vota apo për të nxitur destabilitet.
Ndërkohë, opozita ka akuzuar qeverinë për manipulim të zgjedhjeve dhe përjashtim të padrejtë të partive nga gara. Vetëm dy ditë para zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përjashtoi dy parti për parregullsi financiare.
Në terren, prokuroria ka ndërmarrë qindra kontrolle dhe ka kryer dhjetëra arrestime, me akuzat për korrupsion elektoral dhe përpjekje për destabilizim të situatës.
Gjatë një mitingu të PAS në Kishinau, qytetarët brohoritën slogane si “Duam të jemi në Evropë” dhe “Vendi im nuk është për shitje”.
Në zgjedhje marrin pjesë rreth 20 parti politike dhe kandidatë të pavarur, të cilët garojnë për 101 vende në parlament. Pjesëmarrja e diasporës – e cila zakonisht mbështet PAS – dhe e rajonit separatist të Transnistrisë, që anon nga Moska, pritet të jetë vendimtare.
Ish-presidenti socialist Igor Dodon, një nga liderët e opozitës, u shpreh i bindur për fitoren e tyre. Ai deklaroi se do të “vazhdojë negociatat me BE-në, por do të rivendosë marrëdhëniet me Federatën Ruse”. Dodon akuzoi qeverinë aktuale për “regjim diktatorial nën mbulesën e BE-së” dhe e quajti procesin të manipuluar nga perëndimi.