
Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, është dënuar me 5 vite burg nga një gjykatë franceze, pasi u shpall fajtor për komplot kriminal, në lidhje me një marrëveshje të dyshuar korrupsioni me regjimin e ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, për të financuar fushatën e tij presidenciale në vitin 2007, përcjell Guardian.
Ky është një dënim historik, pasi është hera e parë që një ish-president francez përballet me një vendim të tillë të ashpër. Gjykatësja Nathalie Gavarino dha një dënim të veçantë, që nënkupton se Sarkozy duhet ta vuajë dënimin edhe nëse apelon vendimin. Data e fillimit të vuajtjes së dënimit do të vendoset më vonë.
Sarkozy, 70 vjeç, gjithashtu u urdhërua të paguajë një gjobë prej 100 mijë euro. Ai reagoi me zemërim pas vendimit, duke thënë: “Nëse duan me çdo kusht që të fle në burg, do të fle, por me kokën lart”, duke deklaruar se do të apelojë dhe se vendimi ishte “i rëndë për shtetin e së drejtës dhe imazhin e Francës”.
Sarkozy u akuzua se kishte marrë financim të paligjshëm nga regjimi i Gaddafit në këmbim të favoreve politike dhe diplomatike. Ndërsa u shpall fajtor për komplot kriminal, ai u lirua nga akuzat për korrupsion, shpërdorim fondesh publike dhe financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore.
Gjatë gjyqit, u dëshmua se njerëz të afërt me Sarkozy u takuan me përfaqësues të Gaddafit që në vitin 2005, kur Sarkozy ishte ministër i Brendshëm. Pas ardhjes në pushtet, ai e ftoi Gaddafin në një vizitë zyrtare në Paris, në një përpjekje për të rehabilituar imazhin e tij ndërkombëtar.
Ky është rasti i tretë penal ndaj Sarkozy:
Në një rast të mëparshëm u dënua me 1 vit burg për korrupsion dhe ndikim ndaj një gjyqtari, dënim të cilin e vuajti pjesërisht me byzylyk elektronik.
Në një tjetër rast, u dënua për tejkalim të shpenzimeve në fushatën presidenciale të vitit 2012.
Të tjerë të dënuar
Claude Guéant, ish-shef i kabinetit të Sarkozy dhe drejtues i fushatës së vitit 2007, u shpall fajtor për komplot dhe korrupsion.
Brice Hortefeux, një tjetër ish-ministër i Brendshëm, u shpall fajtor për komplot, por u lirua nga akuza për financim të paligjshëm.
Éric Woerth, përgjegjësi për financat në fushatë, u lirua nga të gjitha akuzat.
Ziad Takieddine, një biznesmen franko-libanez që pretendoi se kishte dorëzuar valixhe me para nga Gaddafi për fushatën e Sarkozy-t, vdiq papritur nga një atak në zemër në Bejrut, vetëm dy ditë para dhënies së vendimit. Ai kishte ndryshuar disa herë dëshminë e tij në lidhje me çështjen.
Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja Carla Bruni, janë gjithashtu nën hetim në një rast tjetër për presion mbi një dëshmitar, lidhur me ndryshimin e dëshmisë nga Takieddine.