Vendosni fjalën kyçe....

“Aneksimi i Bregut Perëndimor nga Izraeli vijë e kuqe për SHBA-në, kështu më tha Trump” – Macron


Çdo veprim izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor do ishte një “vijë e kuqe” për Uashingtonin dhe praktikisht do i jepte fund normalizimit diplomatik arabo-izraelit të njohur si Marrëveshjet e Abrahamit, paralajmëroi dje presidenti francez Macron, duke thënë se ishte siguruar për këtë nga Donald Trump.

Duke folur për France 24, Macron zbuloi se i kishte paraqitur presidentit amerikan një plan të hollësishëm prej tre faqesh mbi të ardhmen e Palestinës gjatë takimit të tyre në Nju Jork të martën. Propozimi, tha ai, bazohej në Deklaratën e Nju Jorkut, një dokument i miratuar nga më shumë se 143 shtete.

Ai bën thirrje për përjashtimin e Hamasit nga qeverisja e ardhshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor, ndërsa harton një rrugë për një proces të qëndrueshëm paqeje, raporton The Guardian.

Macron shpjegoi se objektivi i tij qendror në bisedime ishte të sillte SHBA-në, Evropën dhe vendet arabe në të njëjtën platformë diplomatike.

Zyrtarët britanikë kanë shprehur shqetësime se Donald Trump mund të njohë sovranitetin izraelit mbi vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor në hakmarrje për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Australisë, Francës dhe të tjerëve për të njohur Palestinën.

Megjithatë, Macron theksoi se aneksimi do kishte pasoja të rënda.

“Çdo përpjekje për të aneksuar Bregun Perëndimor do ishte fundi i Marrëveshjeve të Abrahamit, e cila ishte një nga historitë e suksesit nga administrata e parë e Trump. Emiratet e Bashkuara Arabe ishin shumë të qarta për këtë,” tha ai. “Mendoj se është një vijë e kuqe për SHBA-në.”

Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020, të ndërmjetësuara gjatë mandatit të parë të Trump, normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe shkruan TBS.