Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen dhuna në tubimin anti-emigracion në Holandë (Video)


Një protestë kundër emigracionit në Hagë shpërtheu në dhunë, ndërsa protestuesit u përleshën me policinë dhe i vunë flakën një makine. Të paktën 30 persona u arrestuan dhe dy oficerë u plagosën, sipas autoriteteve lokale.

Protesta masive kundër politikës së qeverisë për emigracionin kanë ndodhur në Holandë që nga fundi i verës.

Trazirat u shkaktuan nga vrasja e një vajze 17-vjeçare me emrin Lisa, trupi i së cilës u gjet në një hendek buzë rrugës pranë Amsterdamit. Policia arrestoi një azilkërkues 22-vjeçar, i cili akuzohet gjithashtu për përdhunimin e një gruaje tjetër dhe për përpjekjen e një sulmi të dytë më herët gjatë gushtit.

Të shtunën, mijëra njerëz iu bashkuan protestës dhe u mblodhën në qendër të kryeqytetit politik të Holandës për të demonstruar kundër emigracionit, duke u përleshur me policinë dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, raportuan mediat lokale.

Protestuesit, shumë prej të cilëve mbanin flamuj holandezë dhe disa të lidhur me grupe të djathta, hodhën gurë dhe shishe drejt policisë. Një makinë policie thuhet se u dogj. Disa pjesëmarrës u shkëputën nga tubimi kryesor dhe bllokuan një autostradë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe një top uji për të shpërndarë turmën.

Trazirat shpërthyen një muaj para se Holanda të mbajë zgjedhjet legjislative më 29 tetor. Debati mbi politikat e emigracionit dhe azilit është një nga çështjet qendrore në fushatë.

Partitë kryesore si Partia për Liri (PVV), e udhëhequr nga deputeti i krahut të djathtë Geert ëilders, kanë nxitur një politikë më të ashpër të emigracionit në Holandë, ndërsa parti të tjera dhe grupe të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime në lidhje me polarizimin në rritje.

Kriza e emigracionit në Holandë është përkeqësuar nga mbërritja e vijueshme e azilkërkuesve nga Ukraina. Më herët këtë muaj, Shoqata e Bashkive të Holandës (VNG) paralajmëroi se strehimoret lokale janë plot dhe njerëzit po kthehen mbrapsht. Grupi tha se pothuajse të gjitha 97,000 hapësirat e strehimit komunal të vendit janë të zëna, ndërsa rreth 300 ukrainas vazhdojnë të mbërrijnë çdo javë.