
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ndarë detaje nga një takim të zhvilluar mes të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn, dhe Ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, në nisje të mandatit të tij në krye të këtij institucioni.
Sipas një postimi zyrtar të Ambasadës në rrjetet sociale, takimi synon të forcojë bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fusha me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në drejtësinë penale dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Koordinimi i efektshëm me sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një nga përparësitë kryesore të Administratës Trump,” thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Takimi konsiderohet si një sinjal i qartë i mbështetjes së vazhdueshme amerikane për reformën në drejtësi, e cila vijon të jetë në fokus të partnerëve ndërkombëtarë, në përpjekje për të forcuar shtetin e së drejtës, për të luftuar korrupsionin dhe për të goditur grupet kriminale.
Ky zhvillim vjen në një moment kyç për institucionet shqiptare të drejtësisë, ku pritet një ritëm më i lartë në zbatimin e reformës, si dhe bashkëpunim më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në çështjet që lidhen me ndëshkimin e korrupsionit dhe pastrimin e figurave publike nga ndikimi kriminal.