Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Bajram Begaj nis sot udhëtimin për në SHBA për Javën e Nivelit të Lartë të OKB-së



Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, niset sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Kryesues i delegacionit shqiptar në punimet e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ky sesion i rëndësishëm do të zhvillohet në Nju Jork nga 22 deri më 27 shtator 2025, ku Presidenti Begaj do të marrë pjesë aktivisht në debatet dhe aktivitetet shumëpalëshe.

Gjatë Javës së Nivelit të Lartë, Kreu i Shtetit do të mbajë fjalën në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështje kyçe si paqja dhe siguria ndërkombëtare, multilateralizmi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut.

Në kuadër të vizitës, Presidenti Begaj do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së, si dhe do të takohet me përfaqësues të Diasporës shqiptare në SHBA. Gjithashtu, ai do të vizitojë shkolla ku fëmijët e Diasporës mësojnë gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare jashtë vendit.

Ky udhëtim nënvizon angazhimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjet për të kontribuar në zgjidhjen e sfidave globale përmes dialogut dhe bashkëpunimit.