Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e 5 Majit: Policia na mori zvarrë, do e çojmë deri në Strasburg


Pasi iu drejtuan sot Prokurorisë së Posaçme lidhur me projektin e rindërtimit, që parashikon shembjen e banesave të tyre, banorët e zonës së “5 Majit” folën para gazetarëve për problemin e tyre.

Ata akuzojnë policinë se i ka nxjerrë zvarrë nga banesat, si dhe qeverinë e bashkinë, se nuk po i dëmshpërblen siç duhet për shtëpitë e tyre.

Banorët kanë kërkuar në SPAK sot sekuestro preventive mbi projektin. Edhe pse ditën e djeshme tre përfaqësues zhvilluan një takim me kryeministrin Edi Rama, në Parlament, ata shprehen se ky takim nuk ndryshoi asgjë.

Banorja e moshuar Liza Marku apo Nënë Liza siç e njohim tashmë të gjithë, u shpreh e gatshme që të rindërtonte gjysmën e shtëpisë së shembur nga e para, nëse bashkia nuk do e pengonte.

Deklaratat e banorëve para medieve:
Sa metër ka qenë banesa juaj dhe sa ju ka thënë bashkia se do u jap pas projektit?

Nënë Liza: Banesa ime ka qenë 440 metra. Me matjen e këtyre doli 360 metra. Asnjë lloj premtimi s’e kemi.

A keni kontratë?

Nënë Liza: Asnjë lloj kontrate. Dje nuk na thanë asgjë. Pasi dola na thanë se do ma japin shtëpinë me taksat e shqiptarëve. Unë nuk kam pse ta marr me taksat e shqiptarëve, sepse ma kanë ndërtuar fëmijët e mi. Edhe ashtu gjysmë që ma kanë lënë, e ndërtoj vetë po të më lënë. Nuk kam dalë për sevap, nuk kam dalë të më ndihmojë shteti. Unë ndihmoj veten, por të më lërë në terezinë time.

A keni pasur shkresa dhe kontakte me institucionet?

Nënë Liza: Asgjë. U kemi kërkuar të vijnë të merremi vesh, nuk kanë ardhur. Kemi shkuar ne atje, i kanë vënë çelësin derës. Atë ditë që është shembur shtëpia ime, kanë ardhur mbi 1300 policë. Kemi kërkuar mbrojtje, të mos na tërheqin zvarrë.

Banorja: Pamë të tjerët, që i nxorën zvarrë dhe u ndjemë të kërcënuar. Me njoftim ne nuk mund të kallëzojmë, prandaj e kanë bërë njoftim. Mua avokatja ma ka sjellë, por besim 100% nuk kam. Ne kemi shpresa.

Sa banesa prishen?

Banorja: 430, kanë firmosur vetëm 5% e këtyre. E kemi me siguri këtë, me emër e mbiemër. Nuk mund të vazhdojnë të gënjejnë popullin, i marrin veçmas banorët, që të firmosin. Marrin babanë tim e i thonë firmos se kanë firmosur dhe të tjerët. Nuk mund ta bëjnë kështu.
Unë e kam ndërtesë pa leje dhe e kam deklaruar gjithandej.

Nënë Liza: Dje sa kam dalë nga takimi me Ramën, tha ‘ti mos u merr me këtë punë, se do marrësh shtëpinë’. Sa dola më morën në telefon nga bashkia dhe më thanë se na tha kryeministri. Policia është sjellë zi me mua, fëmijët m’i nxori zvarrë, edhe mua. Më nxorën zvarrë, mua një plakë 78 vjeçe, turpi i botës. Shkoj e rri aty te shtëpia, nën rrënoja.

Banori: Problemi jonë ka nxjerrë probleme shumë më madhore. Ne ndodhemi përballë prishjeve. Ligje nuk ka për të na prishur shtëpitë neve. Nuk ndërton shteti me taksat e paguesve shqiptarë, sepse ne i kemi banesat, nuk na janë prishur.

Në momentin që bashkia ju njoftoi për prishjen, pse nuk morët disa hapa?

Banori: Pse duhet të dal nga shtëpia ime unë? Ne kemi reaguar, por na kanë kthyer përgjigje negative, nuk pranuan as të na takonin. Ku është projekti, pse nuk na e vënë përpara, pse u ndërrua projekti 3 herë? Ata na thonë se do trajtohemi me një ligj, që do bëhet në të ardhmen. Ne nuk dalim nga shtëpitë tona, le të na tërheqin zvarrë.

Banorja: Këta thonë të dhurojmë pronën, po për kë ta dhurojmë? Ata të tërmetit t’iu bëhen banesat aty ku i kishin. Do vijojmë deri në Strasburg. Sot kemi bërë kallëzim në SPAK dhe nuk do të tërhiqemi për asnjë arsye.