Vendosni fjalën kyçe....

Xhixho: Produktet shqiptare të bllokuara në Europë këtu shiten lirshëm, qeveria po helmon qytetarët


Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë për mungesë të theksuar të sigurisë ushqimore në vend.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo deklaroi se produktet shqiptare që kthehen mbrapsht nga tregjet europiane për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, shiten lirshëm në tregjet e brendshme.

“Produktet shqiptare që kthehen mbrapsht nga tregjet europiane, fatkeqësisht shiten lirshëm në Shqipëri. Speca me pesticide, mandarina të kontaminuara, luleshtrydhe me kimikate të ndaluara, peshk me parazitë, mish i infektuar me salmonelë, akullore me substanca kancerogjene, pjeshkë me përmbajtje të lartë nikeli… këto janë vetëm disa raste të bëra publike. Shumë të tjera nuk raportohen kurrë”, tha Xhixho.

Ajo shtoi se ndërsa jashtë vendit këto produkte bllokohen, në Shqipëri ato serviren në tryezat e qytetarëve, duke akuzuar qeverinë se po “helmon shqiptarët” në vend që të garantojë shëndetin e tyre.

Siguria ushqimore është siguri kombëtare. Shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund të sakrifikohet për papërgjegjshmërinë e qeverisë”, përfundoi Xhixho.