
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për përdorim autokratik të pushtetit dhe për përpjekje të qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga problemet reale të qytetarëve drejt propagandës politike.
Në një intervistë për News24, Shehaj deklaroi se opozita nuk duhet të bjerë pre e provokimeve të Ramës, por të përqendrohet te çështjet jetike që prekin qytetarët, si abuzimi me pronën publike, keqmenaxhimi institucional dhe standardet e dyfishta në zbatimin e ligjit.
“Në këto 12 vite ka ndodhur gjithmonë njësoj: Rama provokon dhe opozita reagon. Ai fiton, sepse arrin qëllimin e tij – që të flitet për ‘Diellen’, ndërsa ne duhet të flasim për qytetarin që humbi jetën në Durrës sepse mbështeti dorën në një shtyllë,” – u shpreh Shehaj.
Shehaj kritikoi ashpër edhe projektligjin e qeverisë për të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, duke e quajtur një ligj korruptiv dhe të rrezikshëm, që i jep Kryeministrit pushtet absolut mbi pronat dhe zhvillimin urban.
“Sipas këtij ligji, kushdo mund të zërë një tokë dhe t’i çojë një projekt kryeministrit. Nëse i pëlqen, ai jep lejen; nëse jo, nuk e jep. Kjo është formë e pastër e autokracisë dhe favorizim klientelist,” – tha kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj theksoi se opozita duhet të bëjë kontrastin me qeverinë, duke treguar realitetin që përjetojnë shqiptarët çdo ditë, dhe jo versionin që, sipas tij, promovohet nga propaganda e Edi Ramës nëpër media të kontrolluara ose të ndikuara nga pushteti.
Ai përmendi edhe zhvillimet në News24, duke sugjeruar se presioni ndaj këtij televizioni është pjesë e një strategjie më të gjerë për të kontrolluar diskursin publik dhe për të penguar zërat kritikë.
“News24 është vënë nën presion pikërisht sepse është një nga zërat që përpiqet të flasë për realitetin, jo për teoritë e zbukuruara të Kryeministrit,” – shtoi ai.
Në fund, Shehaj theksoi se Partia Mundësia do të vijojë të bëjë opozitë në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme në Kuvend, duke respektuar besimin e qytetarëve që i kanë votuar.
“Nuk jam këtu për të analizuar se çfarë bën opozita. Jam këtu për të thënë se çfarë do të bëjmë ne – Partia Mundësia dhe deputetët tanë. Ne do të përfaqësojmë qytetarët dhe do të tregojmë se Shqipëria nuk është Shqipëria që paraqet Edi Rama,” – përfundoi ai.