
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Bruksel një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Bisedimet u përqendruan te roli i Shqipërisë në NATO, mbështetja për Ukrainën dhe planet për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Rutte vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në Aleancë dhe theksoi se vendi këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen. Ai nënvizoi gjithashtu kontributin shqiptar në ndihmë të Ukrainës, përmes trajnimeve të specializuara dhe pjesëmarrjes në strukturat e NATO-s.
“Është një nder i madh të kem këtu mikun tim të ngushtë, Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Shqipëria është një aleat i fortë. Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, që është një angazhim i madh.
Në vijim të takimit me Kryeministrin Edi Rama, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi investimet që po kryen Shqipëria në industrinë e mbrojtjes dhe rolin aktiv në mbështetje të Ukrainës.
Ai përmendi kontributin e trupave shqiptare në Letoni e Bullgari, angazhimin në Kosovë përmes KFOR-it, si dhe ndihmën e drejtpërdrejtë për Ukrainën. Rutte theksoi se Shqipëria, pavarësisht madhësisë së saj, po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për Aleancën.
“Ju po bëni shumë sa i përket ndihmës për Ukrainën. Dhe jashtë Shqipërisë, jeni pjesë e forcave tokësore në Letoni dhe Bullgari. Jeni aktivë në Kosovë përmes KFOR-it. Pra, po jepni një kontribut shumë më të madh se sa madhësia juaj. Dhe jeni mjaft i gjatë.
Por megjithatë, Shqipëria nuk është aleati më i madh, por po bën shumë. Dhe prandaj, unë dua sinqerisht t’ju falënderoj që jeni një aleat kaq i fortë. Ne e dimë që NATO mund të mbështetet gjithmonë te Shqipëria. Dhe ju e dini që Shqipëria mund të mbështetet gjithmonë te NATO. Kështu që edhe njëherë, faleminderit që erdhët për vizitë. Faleminderit që jeni një mik kaq i ngushtë personal. Dhe faleminderit për gjithçka që po bëni për NATO-n”, theksoi Rutte.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, falënderoi për mikpritjen dhe theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të kontribuar më shumë në sigurinë euroatlantike. Ai u shpreh se vendi po hedh bazat për rilindjen e industrisë ushtarake, duke përfshirë ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano në bashkëpunim me NATO-n.
Rama shtoi se Shqipëria është e interesuar të shfrytëzojë edhe programin “Safe” të BE-së, i cili mund të ndihmojë vendet e NATO-s në Europë për çështjet e sigurisë.
Në fund, kreu i qeverisë e cilësoi Rutte-n si një lider energjik dhe një partner të çmuar, ndërsa takimi u mbyll me konfirmimin e dyanshëm se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i Aleancës dhe se NATO do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë.
“Është e kuptueshme që gjithmonë është një kënaqësi, jo vetëm për shkak të miqësisë sonë të gjatë, por edhe për shkak të faktit të thjeshtë që gjithmonë ka diçka për të mësuar nga ju. Dhe jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që thatë dhe më shumë. Ne duam të bëjmë më shumë. Dhe tani po hedhim bazat për rilindjen e industrisë sonë ushtarake.
Jemi shumë të interesuar të diskutojmë me ju për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrim për të bërë të mundur ndërtimin e portit të ri ushtarak në Porto Romano. Dhe sigurisht, jemi këtu edhe për të folur bashkë se si mund të aksesojmë programin “Safe” të Bashkimit Evropian, i cili, në aspektin e sigurisë, shkon përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm edhe për vendet e NATO-s në Europë.
Faleminderit për mikpritjen tuaj gjithmonë të përzemërt. Dhe unë besoj se jeni numri një për energjinë e madhe që tregoni kaq herët në mëngjes. Ne jemi këtu për të nxjerrë më të mirën nga kjo”, përfundoi Rama.