Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite godet lokalet e natës pas reagimit të ashpër të konservatorëve


Ndërsa klientët në lokalin me ndriçim të zbehtë zunë vendet e tyre dhe thithnin nargjilet, këngëtarja egjiptiane – një ish-konkurrente e shfaqjes me talente, e veshur me një fustan të zi me supe të hapura – doli në skenë për shfaqjen e vonë të natës.

Në një sfond të shndritshëm, ajo mori një mikrofon dhe filloi të këndonte, duke i kërkuar audiencës së përbërë nga burra dhe gra të moshës së mesme të duartrokisnin teksa këndonte një përzierje këngësh bashkëkohore saudite dhe egjiptiane.

E tillë ishte skena në një natë të fundit në një nga të ashtuquajturat “sallone” të Arabisë Saudite, vende muzikore që janë përhapur që kur mbretëria konservatore nisi programin e saj ambicioz të liberalizimit.

Sallonet, ku klientët meshkuj dhe femra zakonisht mund të vijnë për të shijuar muzikë live dhe për të tymosur shisha, ofrojnë argëtim të përballueshëm për sauditët dhe punëtorët e huaj njësoj, në një mbretëri ku koncertet ishin të ndaluara prej kohësh dhe ndarja gjinore zbatohej rreptësisht.

Por për shumë sallone të tilla, shfaqja ka mbaruar: autoritetet në Riad dhe Xheda kanë mbyllur të paktën dy duzina lokale ë tilla në javët e fundit.

Edhe pse zyrtarët kanë përmendur “shkelje serioze” të kodeve të shëndetit publik dhe higjienës, disa e shohin fushatën si provë të një reagimi të ashpër kundër salloneve, të cilat sauditët konservatorë i konsiderojnë institucione të dyshimta, dhomat e errëta të të cilave ofrojnë vende diskrete për burrat dhe gratë që të shoqërohen, të pinë alkool të paligjshëm ose edhe të marrin drogë.

“Shikoni këto gra që hyjnë në sallon, pikërisht përballë shtëpive të burrave në një lagje banimi,” u ankua Falah al-Masrede, një këngëtar konservator, për një sallon pranë apartamentit të tij në Riadin lindor në një video virale në Snapchat muajin e kaluar.

“Shkova në polici, më dërguan në bashki. Shkova në bashki, më dërguan te autoriteti mbikëqyrës,” tha ai.

“Dua që zëri im të dëgjohet. Jam i lodhur.”

Vetë ekzistenca e këtyre sallave nënvizon kontrastin e fortë midis Arabisë Saudite të sotme dhe një dekade më parë, kur policia fetare zbatonte një interpretim konservator të vlerave myslimane që ndalonte burrat dhe gratë pa lidhje me njëri-tjetrin të përziheshin në publik dhe nxirrte jashtë ligjit kinematë dhe format e tjera të argëtimit.

Kafenetë e shishas nuk lejoheshin në zonat e populluara, por në vend të kësaj shtyheshin në periferi të qyteteve për të qetësuar prindërit që kishin frikë seato  do tërhiqnin djem adoleshentë.

E gjithë kjo ndryshoi rrënjësisht pas ngjitjes në pushtet të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, i cili – pasi i hoqi pushtetet policisë fetare në vitin 2016 – lehtësoi kufizimet mbi liritë e grave dhe e hapi mbretërinë për koncerte, gara sportive dhe madje edhe për koncerte rave.

Autoritetet në kryeqytet ndërtuan Riyadh Boulevard, një kompleks restorantesh, sallash muzikore dhe atraksionesh të tjera, të cilat nga ana tjetër inkurajuan rritjen e më shumë vendeve argëtuese.

Për klientët e tyre, sallonet ofrojnë një mënyrë të ndershme dhe të përballueshme argëtimi për sauditët me paga të ulëta dhe emigrantët për të pirë shisha. Megjithëse alkooli është ende i ndaluar në mbretëri, sallonet janë ndër vendet e rralla ku lejohet pirja e duhanit brenda.

Një tarifë tipike prej 80 SR (21 dollarë) përfshin shisha dhe një lëng ose pije freskuese. Pagesa kërkohet vetëm nga burrat, ndërsa gratë dhe çiftet e përziera hyjnë falas. Disa familje madje sjellin edhe fëmijët e tyre me vete.

Vendet e tjera janë të stiluara si diskoteka luksoze: një në lagjen diplomatike të kryeqytetit e përshkruan veten si “klubi i parë i natës në Riad”.

Ata që vizitojnë sallonet “do t’i konsideronin ato vende të bukura për të kaluar kohë cilësore larg stresit të jetës së përditshme”, shkroi së fundmi editorialisti Akl al-Akl në gazetën e përditshme Okaz. “Ekzistenca e këtyre ‘salloneve’ kontribuon në cilësinë e jetës në të gjitha qytetet e botës.”

Por prania e tyre e kudondodhur përgjatë rrugëve të qyteteve të mëdha saudite i ka shndërruar ato gjithashtu në një burim shqetësimi për ata që nuk ndihen rehat me modernizimin e shpejtë nga lart poshtë.

“Disa nga këto sallone duken të errëta, kështu që nuk do të doja të më shihnin atje”, tha një baba i dy fëmijëve nga Xheda.

Me mbylljen e disa salloneve, autoritetet duket se po kërkojnë të gjejnë një ekuilibër midis vazhdimit të hapjes – gjë që shihet si thelbësore për rritjen ekonomike – dhe përballimit të tensioneve dhe pasojave të padëshiruara të ndryshimeve të tilla.

Ministria e Brendshme këtë vit ngriti një njësi për të kontrolluar “aktet imorale”, duke arrestuar dhjetëra të dyshuar për krime të tilla si prostitucioni dhe lypja, të cilat disa i panë si një përpjekje për të ringjallur policinë fetare.

Për kritikët, shumë prej të cilëve konservatorë fetarë ose socialë, sallonet përfaqësojnë rënien e shpejtë të normave shoqërore.

Por Andreë Leber, i Programit Carnegie për Lindjen e Mesme, tha se përhapja e salloneve në fund të fundit përfaqësonte “atë që shoqëria saudite po kërkon” – veçanërisht për ata që duan të shijojnë liritë e sapogjetura, por nuk mund të përballojnë koncerte të mëdha muzikore ose gara të Formula 1.

“Është kapitalizëm. Njerëzit thjesht duan të shkojnë të kalojnë kohë në një klub diku dhe të pinë duhan”, tha ai.

“Ata nuk duan domosdoshmërisht të shkojnë në Bulevardin Riyad sepse nuk kanë qindra rialë për të shpenzuar.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani