Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti farmaceutik zvicerian nënshkruan marrëveshjen 5.7 miliardë dollarëshe me Monte Rosa


Prodhuesi zviceran i barnave Novartis dhe zhvilluesi i barnave Monte Rosa Therapeutics, ranë dakord për një marrëveshje licencimi deri në 5.7 miliardë dollarë për të zhvilluar trajtime për sëmundjet që lidhen me imunitetin, thanë kompanitë të hënën, duke shënuar partneritetin e tyre të dytë në më pak se një vit, shkruan Reuters.

Sipas marrëveshjes, Monte Rosa do marrë 120 milionë dollarë paraprakisht dhe mund të fitojë pagesa dhe honorare shtesë.

Aksionet e kompanisë me seli në Boston u rritën me 50% në tregtimin e hershëm të mëngjesit pas njoftimit.

Sëmundjet që lidhen me imunitetin ndodhin kur sistemi imunitar sulmon gabimisht indet e shëndetshme, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtime. Këto gjendje të vështira për t’u trajtuar mund të ndikojnë rëndë në cilësinë e jetës së pacientëve.

Marrëveshja i jep Novartis-it të drejtat ekskluzive për një objektiv të pazbuluar të zbulimit të barnave dhe mundësi për të licencuar dy programe shtesë nga portofoli i imunologjisë në fazën e hershme i Monte Rosa. Platforma e Monte Rosa, QuEEN, përdor inteligjencën artificiale dhe të mësuarit automatik për të zbuluar dhe zhvilluar degradues të rinj – molekula të vogla të dizajnuara për të zbërthyer proteinat që shkaktojnë sëmundje – të cilat Novartis do t’i marrë në zhvillimin klinik dhe komercializimin.