Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Kina arrijnë marrëveshje kornizë për TikTok, Trump dhe Xi do të flasin të premten


Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje kornizë mbi aplikacionin e videove të shkurtra TikTok, si pjesë e bisedimeve më të gjera mbi tarifat dhe politikat ekonomike që përfunduan sot në Madrid, njoftoi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

Marrëveshja do të lejojë TikTok të vazhdojë operimin në SHBA, ku rrezikonte të mbyllej më 17 shtator nëse nuk kalonte nën kontrollin e pronësisë amerikane.

Korniza parashikon kalimin e TikTok nën pronësi të kontrolluar nga SHBA,” tha Bessent për gazetarët, pa dhënë detaje të tjera, përcjell Reuters.

Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi se afati i 17 shtatorit mund të zgjatet për një periudhë të shkurtër, në mënyrë që të finalizohet marrëveshja.

Nuk do të kishte pasur zgjatje pa një kornizë,” theksoi Bessent.

Sipas tij, Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping do të zhvillojnë një bisedë të premten.

Më herët gjatë ditës së hënë, SHBA kishte paralajmëruar se do të vijonte me ndalimin e aplikacionit të njohur nëse Kina nuk hiqte dorë nga kërkesat për lëshime mbi uljen e tarifave dhe kufizimet teknologjike në kuadër të marrëveshjes së ndarjes së pronësisë.

Bessent shtoi se priten edhe raunde të tjera bisedimesh ditët në vijim për çështje tregtare dhe të politikave ekonomike, ndërsa u diskutuan gjithashtu mënyrat për të bashkëpunuar në parandalimin e pastrimit të parave dhe frenimin e tregtisë së paligjshme të fentanilit.