
Personi i akuzuar për vrasjen me armë të aktivistit konservator Charlie Kirk është identifikuar si Tyler Robinson, 22 vjeç, nga Utah, sipas pesë zyrtarëve të rendit të informuar për hetimet.
Autoritetet publikuan të enjten pamje nga kamerat e sigurisë ku shfaqej i dyshuari duke hyrë dhe dalë nga Universiteti i Luginës së Utah (Utah Valley University), ku Kirk u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti, përcjell NBC.
Dy zyrtarë të lartë të rendit thanë se një anëtar i familjes së Robinson e njohu nga imazhet dhe e dorëzoi në polici.
Nga të dhënat publike rezulton se regjistrimi i fundit i tij si votues daton më 13 korrik 2021 dhe nuk ka deklaruar përkatësi politike.
Fotot e publikuara nga FBI më 11 shtator 2025 tregojnë një person të dyshuar me kapelë Adidas, syze të zeza, bluzë të zezë me mëngë të gjata me flamurin amerikan, xhinse dhe atlete Converse.
Një video e publikuar nga autoritetet e tregon duke vrapuar mbi çatinë e një ndërtese, më pas duke u hedhur në një zonë me bar dhe duke ecur drejt një rruge të frekuentuar.
Presidenti Donald Trump, i cili ishte i pari që njoftoi publikisht vrasjen e Kirk, u shpreh në një intervistë për Fox News se edhe arrestimi i të dyshuarit ishte bërë i mundur falë ndërhyrjes së familjes.
“Me një shkallë të lartë sigurie, mund të them se e kemi — në paraburgim. Të gjithë bënë një punë të shkëlqyer, punuam me policinë lokale, guvernatorin, të gjithë,” tha Trump.
Ai shtoi se i ati i të dyshuarit kishte luajtur një rol vendimtar: “Dikush shumë afër e njohu edhe nga një lëvizje e vogël të kokës. Ai shkoi te babai, dhe babai e bindi djalin: ‘Kjo është, duhet të dorëzohesh’.”
Departamenti i Sigurisë Publike bëri të ditur se arma e gjetur në një zonë pyjore ishte një pushkë bolt-action me fuqi të lartë. FBI po analizon gjithashtu prova të mbledhura nga çatia, përfshirë një shenjë pëllëmbe, një gjurmë parakrahu dhe një shenjë këpuce.