
Kryeministri Rama propozot sot uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 100, një ligj dhe godinë të re për Kuvendin dhe si dhe thellimi e reformës territoriale.
“Zbritja e numrit të deputetëve në 100 deputetë do kishte vetëm impakt pozitiv. Ky do jetë një objektiv kushtetues i joni. Kuvendi nuk ka ende një shtëpi të vetën, një godinë të pranueshme për një vend anëtarë të BE-së. Duhet të bëjmë një rishikim të reformës territoriale duke reflektuar ndryshime domethënëse të këtyre viteve që nga demografia deri te teknologjia për t’u përgatitur për anëtarësimin në BE.” – tha Rama.
Ai nënvizoi se kurrë më parë kushtet nuk kanë qenë më të favorshme për Shqipërinë për sa i përket integrimit në BE.
“Atyre që na janë bashkuar për herë të parë u them ruhuni nga zakonet e vjetra që do gjeni këtu. Mandatin duhet ta fitoni përditë nëse doni që ky rrugëtim të shkojë përtej një mandati. Programin qeverisës së kam këtu me vete. Të mbyllin negociatatat për anëtarësimin në BE. Të ratifikojmë marrëveshjet në 27 parlamentet dhe të ngremë deri në fund të kësaj dekade flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e BE. Këto janë tre majat që duhet të kapim për të ngjitur Shqipërinë atje ku e ka origjinën. Yjet e fatit janë rreshtuar si kurrë më parë në favorin e Shqipërisë dhe majat nuk kanë qenë kurrë më të dukshme. 53 nga 83 deputetët në parlament nga radhët tona janë të rinj dhe ulen për herë të parë në sallë.” – tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se çdo ligj i ri që do miratohet do bëhet vetëm pasi të marrë dritën jeshile nga Komisioni Evropian ndërsa shtoi se drejtësia në Shqipëri është ende shumë larg standardeve të BE-së.
“Pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja. Dhe këtu ka një por: asnjë ndryshim në ligjin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket, nuk ndodh me votat tona pa marrë dritën jeshile nga Komisioni Evropian. Kjo që kemi është larg drejtësisë që duhet Shqipërisë evropiane në vitin 2030 dhe asaj që meritojnë qytetarët, të sakatuar ndër vite nga drejtësia. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion se ka rrugë tjetër; nuk ka rrugë tjetër veç vendosmërisë dhe durimit shtetbërës.” – tha Rama.