
Zyrtarë të lartë të administratës Biden vunë në dyshim dhe kritikuan vazhdimisht mënyrën se si ekipi i presidentit vendosi për faljet polemizuese dhe lejoi përdorimin e shpeshtë të një autopeni (autofirme) për të nënshkruar masat në fund të mandatit të tij, tregojnë emailet e brendshme të marra nga Axios.
Mesazhet janë shenjat e fundit e kaosit që rrethon ish-presidentin 82-vjeçar gjatë javëve të fundit të administratës së tij, në dy fusha që tani po hetohen nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve i udhëhequr nga republikanët.
Pas reagimit politik ndaj faljes së djalit të tij Hunter nga presidenti Biden më 1 dhjetor të kaluar, Shtëpia e Bardhë filloi të bënte presion për të gjetur më shumë njerëz për t’ifalur falje, sipas njerëzve të njohur me dinamikat e brendshme.
“Pati një nxitim të çmendur për të gjetur grupe njerëzish që ai mund t’i falte, ata nuk e drejtuan atë nga Departamenti i Drejtësisë për t’i verifikuar ata,” tha një person i njohur me procesin.
Biden dha falje për më shumë njerëz se çdo president në historinë e SHBA-së – 4,245 persona. Më shumë se 95% e këtyre veprimeve ndodhën në 3muajt e fundit të presidencës së tij, sipas Pew Research.
Shumë nga këto veprime, përfshirë faljen e anëtarëve të tjerë të familjes së tij në ditën e tij të fundit në detyrë, u nënshkruan duke përdorur një autofirmë, një version të kompjuterizuar të firmës Së presidentit që nuk kërkonte që ai ta nënshkruante fizikisht dokumentin.
Afër fillimit të presidencës së tij në vitin 2021, Sekretari i ardhshëm i stafit Jess Hertz i shkroi një memo Bidenit, duke cituar precedentin nga administrata Obama për të argumentuar se firma e tij origjinale duhet të përdoret për “letrat e faljes”.
Deri në vitin 2025, Biden kishte zgjedhur autopenin për të falur pesë anëtarë të familjes së tij – përfshirë vëllain dhe motrën e tij, të cilët ishin akuzuar për shfrytëzimin e emrit të familjes Biden për përfitime financiare.
Një email nga shefi i stafit të Bidenit, Jeff Zients, në orën 22:31 të natës së 19 janarit – më pak se 14 orë para se Biden të largohej nga detyra – konfirmoi përdorimin e autopenit presidencial për ato falje.
Urdhri erdhi nga adresa e emailit të Zients, por ai nuk e dërgoi personalisht. Ndihmësja e Zients, Rosa Po, e cila kishte qasje në llogarinë e emailit të Zients, shkroi dhe dërgoi autorizimin e autopenit të presidentit te zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë në emër të Zients.
Zients, Po dhe Hertz nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Një zëdhënës i Bidenit nuk pranoi të komentonte.
Disa zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë ngritën kundërshtime në lidhje me procesin e faljes me zyrën e Këshillit të Shtëpisë së Bardhë, e cila drejtohej nga Ed Siskel, raporton Alex Thompson i Axios.

Siskel ndihmoi në drejtimin e procesit të faljes në muajt e fundit të administratës dhe nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Më 17 janar, vetëm tre ditë para se të largohej nga detyra, Biden dha 2,490 lehtësime dënimi – më shumë se ndonjë president në një ditë të vetme. Biden tha se ato ishin për njerëz “të dënuar për vepra penale jo të dhunshme që kanë të bëjnë me drogën që po vuajnë dënime në mënyrë disproporcionale të gjata”.
Biden u mburr: “Me këtë veprim, unë tani kam lëshuar më shumë falje dhe lehtësime individuale se çdo president në historinë e SHBA-së.”
Të nesërmen, avokati i lartë i etikës në Departamentin e Drejtësisë, Bradley Weinsheimer, shkroi një memo të ashpër duke deklaruar se t’i quash përfituesit e faljes jo të dhunshëm ishte “e pavërtetë, ose të paktën mashtruese”.
Ai renditi disa nga ata me të dhëna për krime të dhunshme, të cilëve Biden u kishte dhënë falje – përfshirë një burrë që ishte deklaruar fajtor për akuza që lidheshin me vrasjen e një gruaje dhe vajzës së saj 2-vjeçare, pasi nëna kërcënoi se do t’ia tregonte policisë biznesin e tij të trafikimit të drogës.
Weinsheimer tha se Departamenti i Drejtësisë e kishte etiketuar burrin si “problematik”, por Biden ia nryshoi dënimin gjithsesi.
“Nuk kam asnjë ide nëse presidenti ishte në dijeni të këtyre të dhënave kur merrte vendimet për falje”, shkroi Weinsheimer.
The New York Post raportoi për herë të parë hollësitë e memos së Weinsheimer, së bashku me email-e të tjera.
I pyetur për procesin e faljes, Biden i tha The New York Times në korrik: “Unë mora të gjitha vendimet”.
Biden tha se e përdori autopen-in sepse bëhej fjalë për një numër shumë të madh vendimesh.
Ky shpjegim është minuar nga të dhënat që tregojnë se Biden duhej të nënshkruante vetëm disa dokumente për çdo grup të madh njerëzish që ai u dha falje.
Disa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë të Biden-it i kundërshtuan kërkesat e shpeshta për të përdorur autopen-in.
Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë të Biden-it, Stef Feldman, i cili ishte përgjegjës për rrjedhën e dokumenteve të West Wing, kërkoi vazhdimisht më shumë hollësi dhe konfirmim të qëllimeve të presidentit me autopen-in – duke përfshirë edhe kur bëhej fjalë për falje, sipas disa email-eve të siguruara nga Axios.
Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve do të intervistojë Zients më 18 shtator në lidhje me përdorimin e autopen-it nga Biden.