
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Venezuelës, duke deklaruar se avionët ushtarakë të këtij vendi do të qëllohen nëse fluturojnë pranë anijeve amerikane dhe i vendosin ato në rrezik.
“Kemi qenë shumë të qartë. Nëse ata fluturojnë mbi anijet tona dhe na vendosin në një situatë të rrezikshme, do të rrëzohen,” tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale, përcjell BBC.
Paralajmërimi i tij vjen pas raportimeve se avionë ushtarakë venezuelianë u panë duke fluturuar pranë një anijeje të SHBA-së në brigjet e Amerikës së Jugut për të dytën ditë radhazi.
Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo ndodhi vetëm pak kohë pas një sulmi të forcave amerikane mbi një anije që, sipas Uashingtonit, transportonte drogë nga Venezuela dhe që operohej nga një grup kriminal, ku u vranë 11 persona.
Nga ana e tij, presidenti venezuelian Nicolás Maduro i hodhi poshtë akuzat amerikane, duke theksuar se vendi i tij nuk përfaqëson kërcënim dhe se Uashingtoni po shtyn drejt përshkallëzimit.
“Venezuela ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog, për bisedime, por ne kërkojmë respekt. Diferencat nuk mund të justifikojnë një konflikt ushtarak,” u shpreh Maduro.
Trump, i pyetur për mundësinë e përshkallëzimit, i la duart e lira ushtrisë së tij. “Nëse situata del jashtë kontrollit, gjenerali im mund të bëjë çfarë të dojë,” tha ai.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi gjithashtu se lufta ndaj narkotikëve është arsyeja kryesore e lëvizjes së forcave amerikane në Karaibe.
“Ne jemi të fortë ndaj drogës. Nuk duam që ajo të vrasë popullin tonë. Droga po derdhet nga Venezuela,” shtoi ai, duke akuzuar edhe bandën Tren de Aragua si një kërcënim të madh.
Shtetet e Bashkuara kanë shtuar prezencën e tyre ushtarake në Karaibe, përfshirë dërgimin e anijeve shtesë dhe mijëra marinsash e marinarësh, ndërsa vetëm të premten u njoftua se 10 avionë luftarakë F-35 do të vendosen në Porto Riko.
Trump ka qenë kritik i ashpër i Maduros prej kohësh, ndërsa muajin e kaluar dyfishoi shpërblimin për informacion që çon në arrestimin e tij në 50 milionë dollarë, duke e quajtur “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë”.