Vendosni fjalën kyçe....

“Kosova e ka vendin në Interpol” – presidentja Osmani



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova e ka vendin në Interpol dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të Policisë së Kosovës në skenën globale si forcë profesionale dhe e përkushtuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Deklarata e saj u bë gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

‘Polici i shërben vendit edhe kur vetë përballet me rrezikun’. Kjo frazë e përshkruan më së miri misionin fisnik, sakrificën dhe besnikërinë ndaj atdheut nga secili prej jush. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”, u shpreh presidentja Osmani.

Ajo theksoi se historia e Policisë së Kosovës është histori përkushtimi, guximi dhe përballjeje me sfida, duke nënvizuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në periudha të ndjeshme, sidomos në veri të vendit.

Nga ditët e para të themelimit deri më sot, keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, krizë apo kërcënim që mund ta lëkundë besimin tuaj ndaj Republikës. Me profesionalizëm dhe guxim, keni garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim,” shtoi ajo.

Në përfundim të fjalimit, presidentja theksoi nevojën që Kosova të anëtarësohet në Interpol, duke argumentuar se Policia e Kosovës është në nivelin e standardeve ndërkombëtare dhe meriton të jetë pjesë e rrjetit global të forcave të rendit.

Është domosdoshmëri që Kosova të jetë pjesë e Interpolit dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Sepse aty e ka vendin Policia jonë – në mesin e policive që mbrojnë paqen, rendin dhe sigurinë kudo në botë,” përfundoi Osmani.