
Ministri egjiptian i Jashtëm, Badr Abdelatty, ka kritikuar deklaratat që përshkruajnë shpërnguljen e palestinezëve në Gaza si vullnetare, duke i quajtur ato “të pabesueshme”.
Komentet vijnë pas thirrjes së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që banorët e qytetit të Gazës të lëvizin drejt jugut ndërsa forcat izraelite avancojnë në zonën më të madhe urbane të enklavës.
Netanyahu ka sugjeruar gjithashtu që vendet e tjera të pranojnë palestinezët që dëshirojnë të largohen. Zyrtarët e tij thanë se kryeministri ishte duke folur për të drejtën themelore të individit për të zgjedhur vendin ku jeton, sidomos në kohë lufte.
Abdelatty, që përfaqëson një rol kyç si ndërmjetës i Egjiptit për të arritur paqe në Gaza, tha në një konferencë shtypi me komisionerin e përgjithshëm të Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Philippe Lazzarini:
“Nëse ka një uri të shkaktuar nga njeriu në Gaza, ajo ka për qëllim të shtyjë banorët të largohen nga toka e tyre. Është e pabeueshme të thuash që kjo është shpërngulje vullnetare.”
Ministri egjiptian shtoi se kishte biseduar me emisarin e veçantë amerikan, Steve Witkoff, për intensifikimin e përpjekjeve për të zbatuar propozimin më të fundit për armëpushim, përcjell NBC.
Ai fajësoi Izraelin për qëndrimin e tij të ngurtë që ka vonuar arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Hamas kishte pranuar në gusht një propozim për një armëpushim 60-ditor, duke përfshirë kthimin e gjysmës së pengjeve të mbajtura në Gaza dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë nga Izraeli.
Sipas burimeve egjiptiane, propozimi i pranuar nga Hamas parashihte pezullimin e operacioneve ushtarake izraelite për 60 ditë dhe një kuadër për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të dhënë fund konfliktit që ka tashmë gati dy vjet.
Netanyahu tha disa ditë më vonë se Izraeli do të rifillonte menjëherë negociatat për lirimin e të gjithë pengjeve dhe përfundimin e luftës, por vetëm në kushte të pranueshme për Izraelin.