
Rothschild & Co ka nënshkruar një marrëveshje me Liechtensteinische Landesbank (LLB) për të përfshirë punonjësit dhe klientët e saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke zgjeruar ndjeshëm praninë në menaxhimin e pasurisë në Dubai.
Sipas marrëveshjes, rreth 20 punonjës të LLB do t’i bashkohen divizionit të menaxhimit të pasurisë së Rothschild & Co në rajon, ndërsa pritet që të transferohen edhe asete në vlerë deri në 1 miliard franga zvicerane (1.1 miliard dollarë). Banka do të marrë gjithashtu në administrim zyrën ekzistuese të LLB në Dubai, çka e çon numrin e përgjithshëm të stafit të saj në Lindjen e Mesme në rreth 25 persona.
Në një deklaratë, kompania theksoi rëndësinë strategjike të Dubait si qendër financiare:
“Zgjerimi i pranisë sonë këtu na jep mundësinë për të arritur tregje më të gjera, për të rritur efikasitetin operacional dhe për të zgjeruar shërbimet tona, si në tregjet publike e private, ashtu edhe në këshillimin korporativ.”
Kryetari ekzekutiv, Alexandre de Rothschild, e cilësoi marrëveshjen si një hap të natyrshëm në kuadër të strategjisë globale të grupit.

“Integrimi i biznesit të LLB në Emiratet e Bashkuara Arabe është një përshtatje e përkryer dhe përforcon një nga shtyllat tona kryesore të rritjes. Ky hap tregon bindjen tonë të fortë për potencialin e Emirateve, duke pasur parasysh përqendrimin në rritje të pasurisë si rajonale, ashtu edhe globale,” u shpreh ai.
Edhe Laurent Gagnebin, partner dhe CEO i Menaxhimit të Pasurisë në Zvicër, theksoi se marrëveshja vjen më pak se një vit pas hapjes së biznesit të tyre në Dubai. “Ky bashkëpunim na jep një shtysë të fuqishme për të konsoliduar dhe zgjeruar shpejt pozicionin tonë në treg,” tha ai.
Nga ana e tij, Saeed Al Awar, partner dhe drejtues i Rothschild & Co për Lindjen e Mesme, kujtoi se kompania ka pothuajse dy dekada prezencë në rajon. “Gjatë gjithë kësaj kohe kemi rritur e forcuar vazhdimisht aktivitetin tonë. Marrëveshja me LLB e konsolidon më tej ofertën tonë në menaxhimin e pasurisë dhe na lejon t’u ofrojmë klientëve lokalë një shërbim edhe më të thelluar,” tha ai.
Rothschild & Co hapi zyrën e saj të menaxhimit të pasurisë në Dubai në vitin 2024 dhe thekson se ky hap i fundit konfirmon angazhimin afatgjatë të grupit ndaj Lindjes së Mesme.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gulfbusiness