
Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan të mërkurën se çdo përpjekje e Izraelit për të aneksuar Bregun Perëndimor do të përbënte një “vijë të kuqe” për Abu Dhabin dhe do të dëmtonte seriozisht frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit, që normalizuan marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Që në fillim, ne i pamë këto marrëveshje si një mënyrë për të mbështetur vazhdimisht popullin palestinez dhe aspiratën e tij legjitime për një shtet të pavarur,” tha Lana Nusseibeh, zëvendësministre për Çështjet Politike dhe e dërguara e ministrit të Jashtëm të EBA-së, përcjell Ynet.
“Ajo ishte pozita jonë në vitin 2020, dhe mbetet pozita jonë edhe sot,” shtoi ajo, duke e cilësuar këtë si kritikën më të ashpër të Emirateve ndaj politikave izraelite që nga nisja e luftës në Gaza në vitin 2023.
Nusseibeh u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të ndalojnë planet për aneksim.
“Ekstremistët, të çfarëdo lloji, nuk mund të lejohen të diktojnë kursin e rajonit. Paqja kërkon guxim, këmbëngulje dhe refuzimin për t’i lënë dhunës të përcaktojë zgjedhjet tona,” theksoi ajo.
Marrëveshjet e Abrahamit, të nënshkruara gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump, mundësuan normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit, EBA-së, Bahreinit dhe Marokut, pas ndërmjetësimit të SHBA-së.
Ndërkohë, në Izrael pritet një mbledhje e nivelit të lartë e thirrur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ku do të diskutohet mbi njohjen e mundshme të shtetit palestinez dhe masat e mundshme të përgjigjes, përfshirë edhe zbatimin e sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i ka kërkuar Netanyahut që të aplikojë sovranitetin izraelit mbi 82% të territorit, duke lënë vetëm 18% për palestinezët, duke e përmbledhur propozimin e tij me shprehjen: “Sa më shumë tokë, sa më pak arabë.”