
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër sot pas publikimit të statistikave të Eurostat, duke akuzuar qeverinë për pabarazi ekstreme në pagat në Shqipëri.
“Shqipëria është sot vendi me hendekun më të madh midis rrogave maksimale dhe rrogës minimale të qytetarëve shqiptarë,” deklaroi Berisha, duke theksuar se paga minimale prej 408 euro nuk ka ndryshuar që nga viti 2023.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vendosur për vete një pension minimal prej 4 mijë eurosh, duke e cilësuar këtë si “pension 10 rroga minimale”.
“E imagjinoni ju se çfarë pashpirtësie dhe amoraliteti i plotë,” shtoi Berisha.
Ai e cilësoi hendekun e pagave si një nga më të mëdhenjtë në botë, duke e krahasuar me një situatë “çnjerëzore”:
“Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo,” tha ai.
Berisha akuzoi qeverinë se, ndërsa pagat e larta janë rritur me 30-40%, pagat minimale kanë mbetur të pandryshuara, duke e cilësuar këtë si “një politikë pashpirt dhe të pamoralshme”.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së Sali Berisha:
Eurostat jep lajmin damkosës për ekipin drejtues të narkoshtetit shqiptar.
Shqipëria është sot vendi me hendekun më të madh midis rrogave maksimale dhe rrogës minimale të qytetarëve shqiptarë.
Eurostat konstaton se rroga minimale në Shqipëri nga viti 2023 gjer sot ka mbetur aty ku ishte, 408 euro.
Ndërkohë rroga maksimale në Shqipëri, paga neto e Altin Troplinit është 7 mijë euro. Është 15 herë më e madhe se paga minimale.
Ndërkohë që rroga minimale nga viti 2023, siç deklaron Eurostat, është gjithsej 408 euro, rrogat e larta janë rritur me 30-40 përqind.
A mund të imagjinoni ju që Edi Rama përcaktoi pension minimal për veten e tij, pensionin 4 mijë euro. Përcaktoi pra pension 10 rroga minimale.
E imagjinoni ju se çfarë pashpirtësie dhe amoraliteti i plotë.
Para jush me dhjetëra e dhjetëra herë kam denoncuar hendekun e madh midis rrogave minimale dhe rrogave maksimale.
Ky hendek në Shqipëri është ndër më të thellët në botë. Në Europë po e po, por në botë.
E thashë, Altin Troplini merr sa 15 rroga minimale.
Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo.
Këto janë parime çnjerëzore të përcaktimit të pagave.