Vendosni fjalën kyçe....

Pekini nën kontroll të rreptë përpara momentit madhor të paradës ushtarake


Në zemër të Pekinit, gjithçka është gati për spektaklin e madh të pushtetit dhe forcës ushtarake, të kuruar deri në detaj nga Presidenti Xi Jinping.

Të martën, liderë nga më shumë se 20 vende, mes tyre presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të ulen në sheshet e rreshtuara pranë Sheshit Tiananmen, për të parë paradën më të madhe ushtarake që Kina ka organizuar në gjashtë vitet e fundit.

Tetë flamuj gjigantë kinezë rrethojnë portretin e Mao Ce Dunit mbi Portën e Paqes Qiellore, ndërsa nën të janë vendosur ulëset e rezervuara për 26 krerë shtetesh.

“Kjo paradë nuk është vetëm një përkujtim i 80-vjetorit të dorëzimit të Japonisë, por një demonstrim i forcës sonë dhe vendit tonë në botë”, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Xi pritet të ketë në krah edhe Putinin e Kim-in, një imazh që analistët perëndimorë e kanë cilësuar si një “bosht të përmbysjes”.

Përmes këtij spektakli, presidenti kinez jo vetëm që kërkon të dërgojë një mesazh të fuqishëm jashtë vendit, por edhe të nxisë krenarinë dhe patriotizmin brenda tij.

Në prag të paradës, Pekini ka përjetuar një valë të fortë masash sigurie.

 “Qyteti është bërë më i qetë ndërsa afrohet dita e madhe”, raporton BBC.

Rrugët pranë Sheshit Tiananmen janë mbyllur, dronët janë ndaluar dhe mbi 200 mijë flamuj janë ngritur nëpër kryeqytet.

Banorëve pranë rrugës kryesore Chang’an Avenue u është kërkuar të qëndrojnë larg ballkoneve të tyre gjatë provave të natës, ndërsa transporti publik është paralizuar me devijime rrugësh dhe mbyllje të linjave të metrosë.

Media shtetërore e ka cilësuar paradën si një “dëshmi të kontrollit dhe fuqisë” së Partisë Komuniste, në një kohë kur ekonomia po përballet me rënie të kërkesës, papunësi të lartë të të rinjve dhe çmime në rënie të tregut të pasurive të paluajtshme.

Në qendër të kësaj shfaqjeje janë edhe arritjet teknologjike të ushtrisë. Përveç formacioneve precize të trupave, të ftuarit do të shohin edhe prezantimin e armëve të reja, mes tyre dronë nënujore të pamenaxhuar dhe raketa hipersonike.

Xi Jinping, që ka konsoliduar pushtetin me një mandat të tretë historik, synon të paraqitet si lider global në gjendje të rivalizojë Shtetet e Bashkuara.

Me këtë paradë, Pekini synon të tregojë se, siç theksojnë zyrtarët kinezë, “Kina është gati për çdo sfidë, në çdo skenë, qoftë ajo ekonomike, politike apo ushtarake”.