
Një aksident i rëndë rrugor ndodhi pas mesnate në hyrje të qytetit të Peqinit, duke u marrë jetën dy të rinjve.
Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 02:00, pranë “Urës së Teqes”. Automjeti tip “Volkswagen Golf”, me targë AB433PE, doli nga rruga dhe u përplas me shkallët anësore të një banese.
Si pasojë e përplasjes së fortë, humbën jetën drejtuesi i mjetit, Gabriel Agron Lluca, 24 vjeç, dhe pasagjeri Denis Zeqir Korbi, 23 vjeç, të dy banues në Peqin.
Fillimisht ata u transportuan me urgjencë drejt spitalit të Elbasanit, por fatkeqësisht nuk mundën t’i mbijetonin plagëve të marra.
“Rreth orës 02:00, në hyrje të qytetit të Peqinit, tek ‘Ura e Teqes’, një mjet tip ‘Volkswagen Golf’ ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët anësore të një banese. Dy personat që ndodheshin në mjet janë dërguar në spital, por kanë humbur jetën pak më vonë”.- thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa pista e parë e hetimit lidhet me humbjen e kontrollit të mjetit nga drejtuesi.