Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa akuzon Ramën për dhënien e shtetësisë: Republika e mesazheve dhe qokave, jo e ligjeve


Deputetja demokrate Ina Zhupa ka reaguar ashpër pas publikimit të një bisede në WhatsApp mes futbollistit të Kosovës, Edon Zhegrova, dhe kryeministrit Edi Rama, që i ka hapur këtij të fundit rrugën për të marrë shtetësinë shqiptare.

Nëpërmjet një psotimi, Zhupa u shpreh se ky rast tregon qartë mënyrën se si funksionon shteti, duke akuzuar kreun e qeverisë për përdorimin e të drejtave ligjore për favore personale dhe politike.

Republika e mesazheve dhe qokave dhe jo e ligjeve dhe rregullave! Edon Zhegrova futbollist që luan për Kosovën e ka fituar të drejtën e shtetësisë dhe pasaportën shqiptare pas një komunikimi WhatsApp duke ia kërkuar kryeministrit Rama. Rama pas bisedës, kujdeset t’i çojë edhe vetë dekretin e Begajt. Për nderin e Ramës, Zhegrova e ka falenderuar publikisht”, – deklaroi Zhupa.

Ajo theksoi se problemi nuk qëndron te futbollisti, të cilit i uroi suksese, por te sistemi i krijuar:
Çështja nuk është Edoni, por republika që është krijuar. Edi Rama, autoriteti mbi ligjor që jep edhe shtetësinë, sipas kujt ligji e kanë pajisur, nuk e di?! Përdorimi edhe i një të drejte për trafik interesash, për ndere personale, tregon qartësisht që kemi krijuar një vend që funksionon me fermanë/mesazhe kryeministrore sesa me ligje dhe rregulla”.

Zhupa ngriti shqetësimin për dhjetëra të huaj që, ndonëse janë integruar plotësisht në Shqipëri prej vitesh, nuk arrijnë të marrin shtetësinë për shkak të burokracive.
E drejta e pasaportës shqiptare duhet të jetë një e drejtë që e gëzojnë sipas ligjit të gjithë ata që ju takon. Ka shumë të huaj në Shqipëri që janë integruar plotësisht, me vite dhe ende përplasen nëpër dyert e shtetit pa e marrë dot nënshtetësinë. Mesa duket duhet t’i nisin mesazh kryeministrit dhe jo të ndjekin procedurat dhe rregullat ligjore”, – përfundoi deputetja.