
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përqendrim të pushtetit dhe “asgjësim të institucioneve kushtetuese”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi projektligjin e ri për administratën shtetërore si “një atentat të ri ndaj ndarjes së pushteteve”.
“Ky projektligj është një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një shgarravinë të vërtetë”, tha Berisha.
Ai shtoi se ndryshimet që po synon qeveria përbëjnë “një përpjekje demoniake të Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi”.
Duke u ndalur te përfshirja e forcave të armatosura, universiteteve dhe diplomacisë në kuadër të administratës shtetërore, Berisha tha se kjo është një goditje e rëndë ndaj institucioneve kushtetuese.
“Në kuptimin më të gjerë, administratë shtetërore është çdo rrogëtar i këtij shteti. Por fusha e veprimit të ligjit për administratën publike ka të bëjë me Këshillin e Ministrave. Në momentin që ti merr dhe i fut këto institucione kushtetuese në këtë ligj, ti faktikisht i asgjëson ato dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh”, deklaroi ai.
Berisha e akuzoi Ramën se ka politizuar të gjithë strukturën e administratës shtetërore: “Nga 220 mijë rrogëtarë që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, 98% i përkasin partisë shtet, emërtesë e Edi Ramës. Nuk është një monizëm total, por është pothuaj një monizëm i plotë”.
Ai paralajmëroi se ndryshimet ligjore janë një përpjekje për të vendosur kontroll të plotë të kryeministrit mbi të gjitha hallkat e pushtetit: “Tipari më kardinal i çdo diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë. Nuk ka përqendrim më të madh pushteti se të kesh emëruar 98% të të gjithë piramidës shtetërore dhe administratës publike, duke filluar nga presidenti i Republikës, tek kryegjykatësit, kryeprokurorët e me radhë”.
Duke iu referuar historikut të veprimeve të qeverisë, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se nuk njeh kufij në etjen për pushtet: “Në natyrën e diktatorëve, qoftë autokratë, qoftë autoritarë, etja për pushtet është e pakufishme. Ky nuk e ka për gjë të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion, në një akt antikushtetues dhe keqpërdorim absolut të forcave të armatosura”.
Më tej, kreu i opozitës e quajti Presidentin e Republikës “të paqenë”, duke theksuar se ai nuk po mbron as Kushtetutën dhe as institucionet që përfaqëson.