
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi të dielën se situata aktuale me Shtetet e Bashkuara është “e pazgjidhshme” dhe se Teherani nuk do t’i nënshtrohet kurrë presioneve për t’iu bindur Uashingtonit, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Deklarata e Khameneit vjen në një kohë kur Teherani dhe fuqitë evropiane ranë dakord të premten të rinisin bisedimet për të rikthyer negociatat e plota mbi kufizimin e pasurimit bërthamor të Iranit, përcjell Reuters.
“Ata duan që Irani të jetë i bindur ndaj Amerikës. Kombi iranian do të qëndrojë me të gjithë forcën e tij kundër atyre që kanë pritshmëri të tilla të gabuara,” tha Khamenei.
Ai shtoi gjithashtu: “Ata që na thonë të mos lëshojmë slogane kundër SHBA-së … të zhvillojmë negociata të drejtpërdrejta me SHBA-në, shohin vetëm dukjen e gjërave … Ky problem është i pazgjidhshëm.”
Irani pezulloi negociatat bërthamore me Uashingtonin pas bombardimeve të përbashkëta nga SHBA dhe Izraeli në qendrat e tij bërthamore gjatë një lufte 12-ditore në qershor.
Franca, Britania dhe Gjermania kanë paralajmëruar se mund të aktivizojnë mekanizmin e “snapback”-ut për rikthimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Perëndimi akuzon Iranin se po punon për të zhvilluar armë bërthamore, një pretendim që Teherani e mohon, duke këmbëngulur se programi i tij është vetëm për prodhim energjie bërthamore.