
Rreth 40 banorë dhe blegtorë të fshatit Çërravë në bashkinë e Pogradecit protestuan këtë të diel kundër një projekt-vendimi të këshillit bashkiak që parashikon dhënien me qira të 35.5 hektarëve tokë për vendosjen e paneleve fotovoltaike.
Banorët shprehën pakënaqësinë e tyre duke theksuar se toka që parashikohet të jepet me qira është e vetmja kullotë e zonës dhe një burim jetese për gjysmën e fshatit, që merret me blegtori.
Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse ky vendim miratohet.
Në mbështetje të tyre ishte edhe këshilltari i pavarur bashkiak Arbër Male, i cili deklaroi se vendimmarrja është e paracaktuar dhe se edhe kompania që do të përfitojë nga projekti është përcaktuar paraprakisht, duke i bërë thirrje kolegëve të votojnë kundër.
Këshilli bashkiak i Pogradecit pritet të mblidhet të enjten për të vendosur mbi fatin e tokës që parashikohet të shfrytëzohet për ndërtimin e parkut me panele fotovoltaike.