Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për restaurimin e objekteve të kultit të dëmtuara nga zjarret


Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Ina Zhupa, ka kërkuar nga ministri Blendi Gonxhe ngritjen e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga zjarret në katër objekte kulti dhe trashëgimi kulturore, Kisha e Senicës dhe Kisha e Leftehorit në Delvinë, Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh dhe Kisha në Lekel, Tepelenë.

Zhupa thekson se evidencimi dhe restaurimi duhet të bëhen nga specialistë të licencuar, me fonde të sigurta nga shteti ose donatorë, për të mbrojtur besimtarët, trashëgiminë kulturore dhe turizmin.

Ajo paralajmëron se kjo çështje do të jetë prioritet për komisionin parlamentar të kulturës dhe do të kërkojë dëgjesa për të ndjekur zbatimin e masave.

 

Qëndrimi i plotë i Ina Zhupës:

 

 

Objektet e kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore që u dogjën nga zjarret nuk mund të lihen në harresë dhe të dëmtuara.

Gjatë zjarreve të cilat sollën dëme të jashtëzakonshme u dogjën dhe 4 objekte kulti dhe pjesë e trashëgimisë kulturore historike shqiptare. Konkretisht;

1- Kisha e Senicës në Delvinë

2- Kisha e Leftehorit në Delvinë

3-Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh

4- Kisha në Lekel në Tepelenë

Evidentimi i këtyre dëmeve nuk mund të jetë punë rutinore e bashkive por është detyrë e MEKI, ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ministri Blendi Gonxhe, përgjegjës dhe për kulturën, duhet pa vonesa të marr përgjegjësitë që i takojnë ministrisë së tij në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, dhe në bashërendim me komunitetet fetare të ngrejë një grup ekspertësh, inxhinieresh, përfaqësues fetar që bëjnë një inspektim të plotë për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për restaurim.

Po ashtu duhet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, si mbrojtja nga lagështira apo rënia e pjesëve të mbetura.

Shteti shqiptar duhet të sigurojë fonde të plota vetëm ose në bashkëpunim me donator për restaurimin e këtyre objekteve të kultit dhe trashëgimisë. Restaurimi duhet të bëhet nga specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike.

Kjo është kujdesje e domosdoshme për besimtarët, për identitetin kulturor shqiptar, për trashëgiminë, për turizmin kulturor dhe për  zonat e prekura të cilat duhet rikthehen sic kanë qënë.

Do jetë nga cështjet prioritare të kulturës për të cilat do kërkoj dëgjesa si kryetare e komisionit parlamentar përgjegjës për kulturën.